Adriatik Doçi flet për përgjimet: Janë sulme nga Ahmetaj dhe Kryemadhi. Reagojnë edhe kolegët e tij!

23 Mars 2023, 20:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Monika Kryemadhi, Adriatik Doci dhe Arben Ahmetaj

Në disa portale qarkulluan këtë të premte disa përgjime, ku pretendohej se si gazetari investigativ Adriatik Doçi udhëzonte një bashkëfolëse se si u vihej gjobë bizneseve, apo individëve.

Në lidhje me këto përgjime, vetë gazetari ka reaguar duke i cilësuar sulme dhe duke renditur tre arsye se pse po sulmohet.

Si arsye të parë, Adriatik Doçi rendit kallëzimin penal në SPAK ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, së dyti kallëzimin penal që po çon Arben Ahmetajn drejt burgut, dhe së treti se është pjesë e një media që ka kontribuar për të bindur DASH për të shpallur non grata Sali Berishën.

"Sulmi vjen pasi në dorë më kanë rënë fakte të reja për pasuri me vlerë miliona euro që Arben Ahmetaj ka fshehur në emrin e motrës Brunilda Mene dhe kunatit Leonard Mene, pasuri të cilat po nxitojnë t'i shesin për t'i shpëtuar nga sekuestrimi. Të dhëna të tjera penale do të shkojnë në SPAK për pastrimin e parave nga Monika Kryemadhi jashtë vendit", thotë Doçi në reagimin e tij.

Doçi deklaron se ndryshe nga drejtuesit e portaleve që po e sulmojnë, ai nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme.

"Unë kam zero pasuri të palujtshme. Zero. Shikoni pak se çfarë pasurish kanë Elvi Fundo, Naim Nola, Çim Peku, Anila Basha etj., dhe me çfarë parash i kanë krijuar", shprehet gazetari.

Gazetarë të tjerë i kanë dalë në mbrojtje. Habjon Hasani nga Hashtag e cilëson audiopërgjimin që si fushatë linçuese ndaj Adriatik Doçit. Hasani shkruan se e ka paralajmëruar Doçin se që prej momentit që dorëzoi kallëzim kundër Arben Ahmetajt ishte bërë pjesë e një loje më të madhe.

"Së fundmi i thashë se që prej ditës që ke depozituar kallëzimin në SPAK për Ahmetajn nuk je dot më ai që ishe para asaj dite. Je në tjetër lojë tani, ose fiton shumë, ose humbet shumë’" deklaron Hasani.

Sipas tij, audiopërgjimi synon që të heqë vëmendjen nga kallëzimi dhe provat e bëra publike nga Doçi kundër Ahmetajt.

"Ai kallëzim ishte letër-lakmuesi që nxori zbuluar një lojë shumë më të madhe dhe më të thellë, hodhi në erë narrativën 3-vjeçare të inceneratorëve. Edhe sikur Bin Laden ta kishte bërë atë kallëzim, për sa kohë dokumentet e kallëzimit janë autentike, ai kallëzim dhe ajo pistë hetimore është tepër e rëndësishme. Kjo, sa për të mos ngatërruar bisedat e përgjuara gjysmë-romantike të Tikut në kafe me skema të kalkuluara hollë nga pushteti dhe grupe interesi të padukshme", thotë gazetari Habjon Hasani.

Video