'Përça e sundo' për kryetarin e bashkisë? Klosi dhe Ruçi bëjnë lëmsh Vlorën

18 Mars 2023, 10:19Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe Blendi Klosi

Kur Gramoz Ruçi dha dorëheqjen nga funksionet pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, gjesti i tij u komentua kryesisht me tone romantike në media, ose me spekulime se tërheqja ishte e detyruar nga një presion amerikan me paralajmërim për shpallje non-grata. Zyrtarisht Ruçi e dha dorëheqjen për shkak se nuk arriti dot objektivat elektorale në qarkun e Fierit.

Ende nuk është e qartë për publikun nëse tërheqja e Ruçit nga politika aktive ishte lëvizje taktike lidhur me presionin amerikan apo nëse ishte realisht një shenjë e lodhjes së tij dhe marrje e përgjegjësisë mbi rezultatin. Ajo që në Fier dihet me siguri, është fakti se Gramoz Ruçi tentoi një eksperiment me zarar para se të largohej vet.

Rreth vitit 2019 ai nisi të thurte një skemë të kujdesshme për të dobësuar dhe relativizuar pozitat e kryebashkiakut Armando Subashi. Ruçi nisi ta aktivizonte duke u dhënë kompetenca dy figurave që në këtë kohë ishin jashtë loje. Emëroi Baftjar Zeqajn si drejtor të Albpetrolit dhe riktheu Petro Koçin me takate organizative.

Ruçi e justifikoi lëvizjen e tij me balancimin e ekuilibrave në qarkun e Fierit ku sipas tij “duhej bërë kujdes me faktorin mallakastriot dhe gardën e vjetër”, por në fakt lëvizja ishte një rrethim që i bëhej Armando Subashit, një teknikë e vjetër e tipit “përça e sundo”.

I vetmi rezultat pozitiv që erdhi nga lëvizja e Ruçit ishte ashpërsimi i luftës Subashi-Zeqaj në Fier dhe fuqizimi i pozitave personale të vet Ruçit si “autoritet mbi palët në konflikt”.

Eksperimenti Zeqaj-Koçi rezultoi një dështim i plotë, në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, zonat e mbuluara nga Zeqaj dhe Koçi rezultuan nën minimumin historik të votave të Partisë Socialiste.

Loja e Rucit për të shtuar votat nëpërmjet riaktivizimit të klanit Zeqaj-Koçi dhe njëherësh për të relativizuar pozitat e Subashit, u shndërrua nga një skemë makiaveliste në një faturë për vetë Ruçin, pasi PS-ja nuk arriti dot numrin e mandateve që kishte synuar, zonat e drejtuara nga Zeqaj dhe Koçi ishin me rezultatet më të dobëta.

Këtë faturë e mbajti në xhep Ruçi kur deklaroi dhe tërheqjen nga politika aktive. Efektet e skemës së tij vijuan dhe më vonë kur PS-ja e Fierit degradoi në një luftë të egër shtrigash kur pas zgjedhjeve Zeqaj dhe Koçi nisën një fushatë që synonte deri dhe arrestimin e Subashit.

Petro Koçi arriti deri aty sa të akuzonte publikisht Subashin për lidhje me grupe mafioze, ndërsa mediat e lidhura direkt me Zeqajn u shndërruan në altoparlantë linçues ndaj Subashit, në unison me narrativën e LSI-së që e akuzonte Subashin për implikime me procedurat e dhënies së truallit për inceneratorin e Fierit.

Ishin të gjitha kosto politike që erdhën për shkak të eksperimentit që bëri Ruçi, për shkak të egos së tij për të krijuar përçarje sa më të fortë në strukturat e Fierit, me qëllim që ta kishte më të lehtë komandimin e këtij qarku.

Ishte shembulli më arbitrar se si përçarja e kalkuluar e Ruçit doli jashtë kontrollit dhe u shndërrua në “boomerang” personal për vet atë.

Shndërrimi i Fierit në një pashallëk ekskluziv të Ruçit për afro një dekadë, solli efekte në shumë drejtime, ndonëse asnjëherë nuk janë analizuar publikisht lëvizjet dhe skemat që ai përdori në Fier.

Menaxherët publikë që Ruçi caktoi sidomos në Albpetrol, në drejtorinë e Ujësjellësit, drejtorinë e patentave apo më pas në institucionin e burgut të Fierit, kanë patur dhe performancën më të dobët ndër drejtorët e qytetit.

Të gjithë të emëruarit prej tij kishin një emërues të përbashkët: Të dobët në rezultate dhe të gjunjëzuar para këpucëve të shokut Gramoz.

Një metodë e vjetër e stilit të qeverisë të Adil Çarçanit ku kontrolli prevalonte mbi suksesin, rezultatet nuk kishin asnjë rëndësi, nuk ka rëndësi sa i paaftë është një menaxher politik, rëndësi ka vetëm se sa i nënshtruar është ai.

Ruçi u tërhoq nga politika duke bërë një tërheqje graduale dhe nga “pashallëku i Fierit”, duke lënë një gropë elektorale, përçarje në strukturat drejtuese socialiste dhe bilanc mediokër të drejtorëve të tij të besuar.

Pashallëku i ri

Por sot ndërsa është i tërhequr nga politika aktive, Ruçi rezulton tepër agresiv nga prapavija me një synim të qartë për kapjen e një pashallëku të ri, Bashkinë e Vlorës.

Dikur Gramoz Ruçi e cilësonte si një gabim strategjik të Berishës implikimin e familjarëve dhe të afërmve të tij në politikë dhe fonde publike.

Madje Ruçi ja përsëriste në formë këshille dhe kryetarit të PS-së Edi Rama domosdoshmërinë e ndarjes me bisturi të liderit nga tundimet e familjes biologjike, ai në disa raste ka organizuar mbledhje dhe takime në Fier ku kritikonte drejtuesit lokalë dhe i këshillonte ata të mos promovonin familjarë të tyre ose farefis.

Një ujk me përvojë dhe i kujdesshëm si Ruçi, ja dinte mirë zararin implikimeve të familjes biologjike dhe farefisit.

“Pushteti lodh vetëm ata që nuk e kanë”, – thoshte dikur Giuglio Andreotti, e me sa duket, tërheqja dhe pensioni i parakohshëm i Ruçit ka dhënë efektet e veta, me sa duket dhe atë ka filluar ta lodhë mungesa e pushtetit, për pasojë standardet që dikur ua predikonte të tjerëve, tashmë nuk i merr as vet parasysh.

Gramoz Ruçi prej afro tre muajsh është aktivizuar në mënyrë agresive për të imponuar në strukturat socialiste të Vlorës një kandidat për kryetar bashkie që është lidhje direkte e tarafit të tij familjar.

Ruçi po synon të bëjë kryetar të Bashkisë së Vlorës vëllanë e dhëndrit të shtëpisë së tij, kandidatin potencial Ermal Dredha.

Ky i fundit vjen nga një familje e shkëlqyer, është i biri i Neki Dredhës ish-kryebashkiak i Vlorës në fund të viteve 90-të, njeri me reputacion shumë të mirë në qytet, ndërsa Ermali ka një karrierë të pasur si diplomat dhe posedon lidhje shumëfishe në botën arabe ku dhe ka funksionuar si përfaqësues i shtetit tonë.

Qëllimi i Ruçit për të investuar vëllanë e dhëndrit të tij në Bashkinë e Vlorës, u bë fakt i kryer pak javë më parë kur Ermal Dredha bëri sërish pasaportizimin në këtë qytet, pasi kishte më shumë se një dekadë që ishte pasaportizuar në Tiranë.

Ruçi nga prapavija e di mirë se Vlora është një terren shumë i vështirë për të, do ishte i tillë dhe sikur ai të vijonte aktiv në politikë.

Në Vlorë dikur mbretëronte Koço Kokëdhima, me të cilin Ruçi ka patur një luftë të ftohtë por shumë të egër në kulisë. Ai e di që linjat e Kokëdhimës i ka krejt kundër.

Në Vlorë ka takate Fatmir Xhafaj, me të cilin Ruçi ka ende hesape të pazgjidhura dhe të paqarta, ndërsa distancimi i Xhafës pas dorëheqjes si ministër, erdhi vetëm pasi Ruçi e lëshoi atë në mënyrë demonstrative.

Ruçi është përpjekur të afrojë Shpëtim Gjikën në Vlorë, mirëpo ky i fundit gjithashtu ka shijen e “lënies në baltë” njësoj si Xhafa, pasi Ruçi ja mbylli dyert kur Gjikës i nisën hallet personale.

Aktualisht Ruçi ka ingranuar si ambasador me palët Mezan Malajn dhe Blendi Klosin, i cili është dhe i dërguari i posaçëm i kryeministrit për këtë qark.

I vetëdijshëm se ka reputacionin e një ujku që sheh vetëm interesin e vet dhe të lëshon në ditë të vështira, Ruçi po punon me një skemë të kujdesshme në Vlorë, ai ka angazhuar tentakula për të negociuar marrëveshje me grupimet që atij nuk ja kanë besën.

Disa mendojnë se Ermal Dredha me CV-në e tij të shkëlqyer profesionale dhe reputacionin e mirë familjar, do ishte më komod nëse do kandidonte jashtë rrezes së ndikimit të Ruçit, sepse ekziston mundësia që mbështetja agresive që po merr nga Ruçi mund të kthehet në mosbesim dhe në kosto për shkak të zhgënjimit që kanë pësuar nga Ruçi disa nga faktorët me peshë në PS-në e Vlorës.

Por Ruçi është i vendosur nga prapavija, ai është i qartë se Vlora e dekadës së ardhshme do jetë qyteti më interesant, pasi priten investime të forta në resorte turistike, porte, aeroporti, projekte ndërkombëtare të shërbimeve dhe turizmit.

Është një lloj hambari dhe pashallëku mundësish që në kalkulimet e ftohta të Ruçit kombinon në mënyrë perfekte me aftësitë e vëllait të dhëndrit të tij, i cili ka takate dhe lidhje të shumëfishta me grupet e biznesit ndërkombëtare.

Është një lloj pensioni i artë dhe testamenti brezash, që Ruçi dëshiron ta sigurojë si lëvizje strategjike në funksion të pasardhësëve të tij biologjikë.

Pështjellimi që shkaktoi në PS-në e Vlorës dhe në qytet dalja nga rreshti e Dritan Lelit, e kombinuar me perspektivën ekonomike që ofron Vlora e dekadës së ardhshme, e ka bërë Ruçin ta piketojë këtë qytet si pashallëkun e tij të fundit.

Është sipërmarrja më ambicioze dhe më e vështirë e tij, nisur dhe nga rrethanat specifike të këtij qyteti dhe nga mosbesimi absolut që krerët lokalë kanë te Ruçi dhe metodat e tij.

Kjo ambicie e Ruçit me siguri që ka vënë në mendime dhe Edi Ramën, i cili është autoriteti që do të thotë fjalën e fundit. Edi Rama nga ana e tij përballet me dy sfida në raport me Ruçin:

-Kostoja që mund të vijë nga një reaksion i radhëve socialiste të Vlorës që mund ta shohin inkursionin e Ruçit si një zaptim;

-Fatura e pakënaqësisë që mund të krijohet në zgjedhjet e vitit 2025,  si pasojë e problemeve dhe metodës “përça e sundo” të cilën Ruçi e aplikoi dhe në qarkun e Fierit.

Vlora është qyteti më delikat ku Ramës i duhet të vendosë nëse dekadën e ardhshme të investimeve do ta besojë në një skemë me mentalitet zhvillues, apo do marrë përsipër riskun për ta shndërruar Vlorën në një pashallëk të fundit të Gramoz Ruçit, apo në një fond banal pensioni./Hashtag

Video