Diskutimet për kandidatin e socialistëve për Bashkinë e Vlorës nuk janë vulosur. Drejtuesi politik i Qarkut, Blendi Klosi i ka komunikuar bazës se emri që do të përzgjidhet do të plotësojë disa kritere.
Sic tha ai pak dite me pare ne nje interviste per Top Talk kriteret jane si me poshte.
Kriteri i parë është që të jetë anëtar dhe me kontribute në Partinë Socialiste, të jetojë dhe punojë në Vlorë dhe të ketë ide të qarta për të ardhmen dhe zhvillimin e qytetit dhe rrethinave që përmbledh bashkia.
Kryesive të bazës u është dhënë data 15 mars si afati i fundit për të propozuar emrat, ku më të preferuarit do t’i propozohen kryesisë qendrore të Partisë Socialiste në Tiranë për të vendosur më 25 mars.
Burime nga Partia Socialiste pohojnë se dy janë kandidatët potencialë. Njëri është ish-deputeti i Vlorës, Fate Velaj dhe tjetri Ermal Dredha, ky i fundit Ambasador i Shqipërisë në Dubai.
Duke u bazuar te kushtet e vendosura nga Kryesia, Velaj është ai që i plotëson ato, ndërsa Ermal Dredha nuk plotëson kriterin e anëtarësimin dhe kontributeve në PS. Dredhën e penalizon fakti që prej 20 vitesh është pjesë e Ministrisë së Jashtme dhe si pjesë e trupit diplomatik është i depolitizuar, pra jo anëtar aktiv e me kontribute brenda socialistëve.