
SPAK citon parashikimet e kodit të procedurës penale për sekretin hetimor për të mos bërë publike, apo dhënë informacion në lidhje me hetimet që ka nisur ndaj Arben Ahmetajt.
Sekreti hetimor parashikohet nga neni 279 i këtij kodi që në tre pikat e tij ja lë vendimmarrjen prokurorit të dosjes që të vendosë të bëjë publike plotësisht, pjesërisht, apo asnjë detaj nga dosja që ka në duar.
Në rastin e Ahmetajt, ‘de jure’ SPAK e ka respektuar sekretin hetimor gërmë për gërmë, por shembujt që mbërrijnë nga e njëjta dosje tregojnë se ‘de fakto’ për individë të tjerë të akuzuar po në këtë çështje ka ndodhur e kundërta.
Ish-ministri i Drejtësisë dhe Avokati Ylli Manjani citon rastin e Mirel Mërtirit dhe akuzon prokurorët e dosjes se kanë nxjerrë dorazi materiale të klasifikuara si sekret hetimor.
“Mediat raportuan nga burimet e tyre të dhëna mbi rezidencën e Mirel Mërtirit në Holandë. Ato të dhëna nuk ka asnjë shans t’i gjejë media, përveç se nga dosja hetimore ku gjenden përgjigjet e letërporosive nga jashtë shteti”, thotë Manjani.
Ky është standardi i dyfishtë i SPAK në hetimin e inceneratorëve dhe personave të marrë nën akuzë për të. Në njërin standard, sekreti hetimor zbatohet edhe de fakto, ndërsa në standardin tjetër shfrytëzohen mediat për të bërë publike të dhëna vetjake.
Në rastin e nxjerrjes së të dhënave për Mirel Mërtirin, sipas ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani ato kanë dalë ose nga prokurori i dosjes, ose nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në të gjitha rastet, zbulimi i këtyre sekreteve dënohet nga një deri në pesë vite burg sipas parashikimit të Kodit Penal.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.