Autoriteti i Konkurrencës nuk po vjel dot gjobat që vendos vetë

12 May 2022, 18:16Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Autoriteti i Konkurrencës nuk po vjel dot gjobat që vendos vetë

Autoriteti i Konkurrencës është akuzuar se nuk ka vepruar, ose ka vepruar pak ndaj kompanive që kanë abuzuar me pozitat e monopoleve, apo oligopoleve në treg duke përcaktuar çmimet e produkteve që shesin.

Rastet dhe denoncimet për rritje fiktive të çmimeve janë të panumërta dhe me gamë të gjerë, nga produktet farmaceutike, deri te plehrat kimike për bujqësinë.

Por, edhe në rastet kur Autoriteti ka ndërhyrë me gjoba, ku sipas ligjit mund të vendosë deri në 10 për qind të xhiros vjetore të subjekteve që kapen në shkelje, gjoba nuk është vjelë...të paktën në tre vitet e fundit.

Sipas Euronews Albania, të gjitha penalitetet e vendosura nga Konkurrenca në tre vitet e fundit po kundërshtohen nga kompanitë e ndëshkuara në gjykata. Janë 20 padi në total, ku gjashtë janë pranuar nga gjykata dhe të tjerat janë rrëzuar.

Te grupi i 14 kompanive, të cilave gjykata u ka refuzuar padinë, një pjesë kanë vendosur ta apelojnë vendimin e shkallës së parë, ndërsa pjesa tjetër nuk e ka paguar ende gjobën.

Viti i fundit që Konkurrenca ka fituar një çështje në apel është 2019-a.

Mekanizmi i vetëm që ka në dorë Autoriteti i Konkurrencës për vendosjen e rregullave për funksionimin e tregut të lirë është gjobitja e kompanive që abuzojnë me pozitën dominuese dhe deformojnë konkurrencën.

Kohë më parë u ndëshkuan kompanitë e tregut farmaceutik për rritjen e çmimit të ilaçeve, maskave dhe dezifektantëve gjatë pandemisë, ndërsa së fundmi u ndëshkuan me gjobën rekord prej 1.5 mln eurosh tre ndërmarrje të tregut të plehrave kimikë. Por të gjitha këto masa janë ankimuar në gjykata.


Video