“Kemi kërkuar deputeten tonë Mirela Kumbaro, ajo na ka shpërfillur, është fshehur se i bie është palë në këtë krim”, shprehet një qytetar nga Përmeti për mbeturinat në qytetin e tij.
Venddepozitimet e mbeturinave të Përmetit, Këlcyrës dhe Tepelenës nuk janë të pajisura me leje mjedisore. Kryetarët e këtyre bashkive janë ndëshkuar nga inspektoriati mjedisor me gjobë, pasi nuk plotësojnë kushtet sanitare dhe zgjidhja duket shumë e largët.
Në dalje të qytetit të Tepelenës, vetëm 3 km larg tij, ndodhet fusha më e madhe e grumbullimit të mbeturinave, jo vetëm e qytetit të Tepelenës, por edhe të 24 fshatrave përreth. Me një sipërfaqe prej dhjetra hektarësh, tonelata me mbetje zbrazën çdo ditë në këtë venddepozitim, e cila ndodhet në një distancë rreziku, prej vetëm 10 metra nga ujrat e kristalta të Vjosës.
Rruga që të çon në këtë vendgrumbullim është e përmbytur nga mbeturinat, ndërsa një punonjës i ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit, u vënë flakën mbetjeve që hidhen në këtë fushë.
Gjendja bëhet më alarmante edhe për faktin se ky është një vendepozitim i jashtëligjshëm. Bashkia e Tepelenës pranon se nuk ka një leje mjedisore, pasi është një venddepozitim emergjence.
Pa leje mjedisore
Të gjendur prej vitesh në këtë situatë të paqartë ligjore, kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, i ka shpresat tek plani i ri vendor, i cili do t’i hapte dritën jeshile një landfilli rajonal. Sipas tij, vetëm kështu do të zgjidhej problemi i ndotjes.
Plani i menaxhimit te mbetjeve parashikon që pas hapjes së rrugës Kardhiq-Delvinë, mbetjet e Tepelenës të depozitohen në landfillin e Bajkaj.
“Ka patur mungesë të planit rajonal të menaxhimit të mbetjeve, në bazë të të cilit bëhet plani vendor i menaxhimit të mbetjeve. Plani i menaxhimit është hartuar në vitin 2019 dhe parashikon depozitimin në landfillin e Bajkaj. Sasia që depozitohet nga Bashkia Tepelenë qyteti së bashku me fshatrat që mbulohen me shërbimin e grumbullimit te mbetjeve është rreth 2200 ton/vit”, është shprehur kryetari i bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi shkruan Ina Media.
Mbeturinat përfundojnë në Vjosë
Në qytetin e vogël të Këlcyrës, mbetjet e 4 njësive administrative grumbullohen në të dalë të qytetit nga ana e djathtë e rrugës.
Grumbuj plehrash, plastikë, qelq, produkte ushqimore, goma, apo edhe inerte të ndryshme kanë zaptuar shtratin e lumit Vjosa.
Duke qenë se ky vendgrumbllim është i vogël, bashkia Këlcyrë i djeg më shpesh mbetjet duke u kthyer në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve nga sëmundje të ndryshme. Bashkia e Përmetit i depoziton mbetjet urbane në fshatin Kutal, shumë pranë shtratit të lumit Vjosa. Banorët shprehen se kjo situatë është bërë gangrenë për ta, por askush nuk i dëgjon.
Banorët e Piskovës, kanë paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve ekstreme duke nisur me bllokimin e funksionimit të aparatit të Bashkisë së Përmetit apo dhe veprime të tjera që do të ndërmerren në varësi të situatës së krijuar. Ata betohen se plehra në Piskovë nuk do të depozitohen veçse nëse do të shkelin mbi trupat e tyre.
“Unë kam ardhur nga Amerika për të investuar në tokat e babait, por mendoj se jam i dyzuar a duhet të vazhdoj të investoj apo jo. Kryeministri trumbeton me të mëdha që të kthehen të rinjtë, dhe si mund të vij unë këtu dhe të investoj në këtë vend? Ky është paradoks, ky është cernobil! Është një hap larg një dhomë gazi! Nuk e kuptoj këtë projekt“, u shpreh një i ri.
“Këta kanë filluar punimet, po bëjnë gërmime, kemi kërkuar deputeten tonë Mirela Kumbaro, ajo na ka shpërfillur, është fshehur se i bie është palë në këtë krim”, – tha një banor.
“Po bëhet një hata këtu se kemi fëmijët që pinë nga ky ujë, ne kërkojmë të anulohet projekti. Ky venddepozitim do të ndotë ujërat nëntokësore dhe do të përfundojë në lumë. Ne nuk e lëmë, do protestojmë çdo ditë, do bllokojmë rrugën dhe do ndalojmë firmën të punojë”, shprehen ata.
Bashkia Përmet pretendon se ky landfill është i përkohshëm, pasi landfilli për gjithë rajonin do të jetë në Bajkaj. Sipas bashkisë Përmet, qeveria shqiptare, që prej vitit 2019 ka mbështetur këtë bashki duke investuar për rritjen e standardeve mjedisore në venddepozitimet e përkohshme.
“Qëllimi i këtij investimi konsiston në minimizimin e ndotjes së mjedisit në venddepozitimin e përkohshëm të Përmetit, duke bërë të mundur rritjen e disa standardeve me kushte sanitare që të mos ketë ndikim në burimet ujore, në tokë si dhe në anën vizuale. Themi të përkohshëm pasi me përfundimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, Përmeti dhe gjithë qarku Gjirokastër do t’i depozitojnë mbetjet në Landfillin e Bajkajt në bashkinë e Delvinës ndërsa venddepozitimet aktuale do të mbyllen përfundimisht”, deklaroi Bashkia Përmet.
Bashkia Gjirokastër, e cila prodhon ccdo ditë 16 ton mbetje, po i depoziton në vendgrumbullimin e Gërhotit, i cili është tejmbushur me mbetje urbane dhe kërkon një menaxhim më të mirë që situata mos të dali jashtë kontrollit.
Bashkia sqaron se për vitin 2022 ka parashikuar disa investime që fillojnë që nga blerja e makinerive e deri tek shtimi i koshave të mbeturinave me fond 24 mln lekë, ndërsa pika e Gërhotit do të mbyllet.
“Është vendosur që kjo pikë grumbullimi për shkak të ndotjes së madhe që është krijuar nga emetimit të gazrave të ndryshme të shkaktuar nga reaksionet kimike të cilat ndotin ajrin,ujin dhe ekosistemin në tërësi është vendosur të mbyllet dhe të rehabilitohen”, thuhet në përgjigjen zyrtare të bashkisë Gjirokastër, e cila konfirmon se është vetëm kjo pikë për grumbullimin e mbetjeve.
Bashkia Gjirokastër sqaron se brenda këtij viti do të bëjë disa investime të reja në Gërhot për hapjen e disa gropave të tjera skeptike, të cilat do të jenë të përkohshme deri në ndërtimin i landfillit të ri, që është në Bajkaj. Më pas këto gropa do të mbyllen, ashtu si edhe vendgrumbullimi aktual
Hedhja pa kriter të mbetjeve në lumin Vjosë është pranuar edhe nga institucionet vendore. Edhe Bashkia Memaliaj nuk ka një venddepozitim të miratuar dhe i ka duart e lidhura për një zgjidhje përfundimtare.
“Mbetjet në bashkinë Memaliaj depozitohen në një venddepozitim larg qendrave të banuara. Nuk kemi venddepozitim tjetër veç atij ekzistues. Është një sfidë e vështirë, pasi mundësitë ekonomike të bashkisë tonë janë të pakta”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni vendor.
Kjo bashki gjeneron 4-5 tonë në ditë mbetje, dhe sqaron se ka kryer një sërë aksionesh pastrimi përgjatë bregut të lumit Vjosë të mbetjeve urbane dhe inerteve.
“Kemi zhvilluar disa fushata pastrimi që nga fillimi muajt Nëntor me të gjitha institucionet në territorin e bashkisë. Plani Kombëtar i Pastrimit vazhdon ende”, përfundon në përgjigjen e saj bashkia Memaliaj.
Bashkia Dropull lidhur me situatën e Menaxhimit të mbetjeve thotë se grumbullimi bëhet nga vetë bashkia dhe venddepozitimi do të kryhet në landfill në Bajkaj në Delvinë, teksa aktualisht ato depozitohen në një pikë provizore të hapur.
Bashkia Përmet shprehet se mbledhja e mbetjeve urbane në territorin e kësaj bashkie kryhet nga vetë ky institucion, ndërsa në zonat rurale ky shërbim nuk aksesohet ende.
“Në zonat rurale mbeturinat zakonisht digjen në vende të hapura , duke shkaktuar ndotje të madhe në zonën përreth. Metoda më e përdorur për trajtimin e mbetjeve është ajo e groposjes, megjithëse duhet përmendur fakti që këto gropa nuk kanë një strukturë të mirë ose janë të vendosura në zona të ndjeshme”, thotë bashkia Përmet.
“Hiqni plehrat ose ju marrim bashkitë”, paralajmëroi kryeministri kryebashkiakët për mbetjet urbane nuk dihet nëse do jetë ky rasti.




