
Shënim: Arben Ahmetaj u rikthye si krahu i djathtë i Edi Ramës në qeverisje në mandatin e tretë të socialistëve. Por, ‘rilindja’ e Ahmetajt në qeverisje ka qenë rozë vetëm në muajt e parë.
Zv.kryeministri të cilit iu besua rindërtimi nga pasojat e tërmetit duket se nuk gëzon më mbështetjen e shefit të vet. Pas lënies jashtë nga prozhektori i madh i punimeve të Kongresit (ku ai nuk gjeti, apo s’iu dha) vend në podiumin e atyre që mbajtën fjalën, goditja e radhës e Ahmetajt mbërriti nga Asambleja.
Ahmetaj nuk është perceptuar si një njeri i lidhur fort me Partinë Socialiste, por pas 2013-s ka qenë i lidhur fort me qeverisjen e socialistëve. Dora e tij qëndron pas disa vendimeve e politikave të kontestuara edhe nga vetë deputetët e shumicës. Një sa për shembull ndryshimi i skemës së rimbursimit të TVSh-së për blegtorët në 2018-n.
Megjithatë, roli në qeverisje dhe si pjesë e mazhorancës në Kuvend si logjikë do të duhej t’i jepte një vend në Kongres e Asamble. Por, nuk ndodhi kështu. Arben Ahmetaj është lënë mënjanë në dy mbledhjet më të rëndësishme të socialistëve brenda një muaji dhe si për të vulosur perceptimin se ai nuk gëzon më mbështetjen e Ramës, ra në sy edhe mungesa gjatë seancë së posaçme parlamentare për mesazhin e Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Në atë seancë ishte i pranishëm i gjithë kabineti qeveritar, madje po në atë seancë u bënë bashkë edhe Berisha e Basha. Karrigia e Ahmetajt në krah të djathtë të Ramës ishte bosh.
Këtyre u shtohet edhe fakti që sa herë është folur për ndryshime në qeveri, të paktën këto 2-3 muaj të gjithë emrat e hamendësuar që do të largohen kanë ndryshuar, por ai i Arben Ahmetajt ka mbetur në të gjitha listat e artikujt.
Menjanimi i Ahmetajt nga ana e Ramës ndoshta lidhet me faktin se ai është shndërruar në një kosto për Partinë Socialiste, ku nuk gëzon më as mbështetjen e vetë socialistëve, por edhe për procesin e rindërtimit.
Si personi në krye të këtij procesi, Ahmetaj pati deklaruar se në prill të këtij viti nuk do të kishte më gjurmë tërmeti në Shqipëri. Por, në Durrës, Kombinat dhe zona të tjera gjurmët janë ende fort të dukshme dhe Ahmetaj tashmë e ka shtyrë afatin për në vjeshtë të këtij viti.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.