
Teksa disa socialistë si Ulsi Manja apo Blendi Klosi e kopjojnë shefin e tyre nga mjekra, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka arritur një stad tjetër.
Ky i fundit ka tërhequr vëmendjen gjatë mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve, pasi dukej se nuk e kishte fare mendjen tek diskutimet mbi procesin për zgjedhjen e Presidentit, por tek piktura e tij. Ai është kapur nga kamera herë duke pikturuar dhe herë duke buzëqeshur.
Me pikturimin, duket se Balla po kopjon shefin e tij, pasi edhe kryeministri Edi Rama, duke qenë piktor, është kapur shpesh herë duke praktikuar pasionin e tij gjatë Kuvendit apo edhe mbledhjeve të ndryshme. Mbetet mister se çfarë ka pikturuar Balla mbi faqet e bardha të bllokut të tij.
Taulant Balla në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve thjesht propozoi datën e cila më pas u miratua dhe më pas nuk u përfshi në asnjë nga diskutimet e zhvilluara. Nga socialistët foli Elisa Spiropali, Klotilda Bushka apo Eduart Shalsi.