Arben Kraja prezantoi para Këshillit të Lartë të Prokurorisë raportin vjetor të punës së strukturës që drejton, ku mes shqetësimeve që ngritën anëtarët e KLP-së ishte edhe njëri që lidhej tërthorazi me cilësinë e hetimeve të SPAK.
Anëtari i KLP-së, Tartar Bazaj e pyeti Arben Krajën nëse i dukej normale që aksione të bujshme të policisë së shtetit dekgradohen në akuza dhe dënime vetëm për shpërdorim detyre në SPAK dhe Gjykatën e Posaçme.
Kraja u mbrojt duke thënë se SPAK nuk ka nisur asnnjë hetim për shpërdorim detyre. “Nëse ju më thoni një rast, unë jap dorëheqjen”, ishte basti i tij, duke shtuar se struktura që drejton ka sekuestruar 70 mln euro asete kriminale.
Kreu i SPAK mund të ketë të drejt në këtë pjesë. Pra, që SPAK nuk ka nisur asnjë hetim për shpërdorim detyre. Struktura, e konsideruar si artileria e rëndë e sistemit shqiptar të drejtësisë s’mund të harxhojë energji në burime njerëzore dhe financiare vetëm për akuza kaq të rëndomta.
Primare për SPAK duhet të jenë krimi i organizuar dhe korrupsioni i niveleve të larta. Akuzat që ngrihen në këto raste janë të shumëfishta dhe në rastin e korrupsionit ka brenda edhe shpërdorimin e detyrës, por si aksesor mbështetës e procedurial për të provuar fajësinë.
Megjithatë ka raste kur SPAK dështon të provojë, apo të bindë Gjykatën e Posaçme për akuzat më të rënda që ngre ndaj subjekteve që ka nën hetim dhe i gjithë investimi disamujor e shpesh disavjeçar katandiset në një vendim dënimi për shpërdorim detyre.
Rasti është ai i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Akuzat e ngritura ndaj tij SPAK i trashëgoi nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda. Ndër to ishin edhe dy akuza, ajo për trafik droge në kuadër të një grupit të strukturuar kriminal dhe akuza e korrupsionit.
Por, ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Tahirin në shtator të 2019-s, tre muaj para se të themelohej SPAK, me tre vite burg që u shndërruan në shërbim prove për ish-ministrin. Duke rrëzuar të gjitha akuzat e ngritura nga prokurorët dhe duke e rivlerësuar akuzën vetëm në ‘shpërdorim detyre’.
Vendimi u apelua dhe çështje u transferua te SPAK dhe GJKKO pas dhjetorit të 2019-s, kur ish-prokuroria e Krimeve të Rënda u shkri. Nga kjo periudhë, SPAK mori në dorën dosjen e plotë dhe bashkë me të edhe mundësinë për të rivlerësuar akuzat dhe korrigjuar e plotësuar dosjen me elementë që do t’i jepnin të drejtë në gjykatë.
Por, dy vite nuk i mjaftuan SPAK që të gjente provat e nevojshme që të bindte GJKKO për akuzat e korrupsionit dhe trafikut të drogës dhe në shkurt të këtij viti, ish-ministri u dënua sërish vetëm për shpërdorim detyre.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.