Ish-Gjyqtarja e gjykatës civile Klorinda Çela, e cila është shkarkuar nga vettingu, u denoncua ditën e sotme publikisht nga kryeministri Edi Rama ndonëse ky i fundit nuk i përmendi emrin. I pyetur ditën e sotme se përse nuk i drejtohet SPAK-ut me kallëzime konkrete, Rama tha se partitë politike nuk mund të bëjnë kallëzime.
Ai pyeti se çfarë kallëzimi duhet të bëjë për rastin e një gjyqtareje që ka bllokuar nisjen e punimeve për ngritjen e qendrës kombëtare të fëmijëve te ish Garda e Republikës.
“Çfarë kërkon Arben Kraja nga unë sot kur këtë gjykatëse e ka në listë këtu me 462 mijë euro të pajustifikuara dhe me një akt haptazi të paligjshëm atje.
Çfarë kallëzimi kërkon nga unë? Kam shumë respekt për Arben Krajën, drejtuesin e SPAK dhe kam respekt për punën që ka bërë deri tani. Kam respekt për goditjet që ka bërë në oborrin e PS-së dhe goditjet ndaj krimit të organizuar.
Të bëjmë ne kallëzim për non-gratën? Ka dalë një akuzë që është më e rëndë se akuza e çdo gjykate dhe është bërë një vorbullë e madhe diskutimi, marrin nëpër gojë ambasadoren amerikane, sekretarin e shtetit”, u shpreh Rama.
Kush është gjyqtarja Klorinda Çela, e cila u akuzua nga kryeministri Rama që bllokoi ndërtimin e Teatrit të Kukullave:
Gjyqtarja e Tiranës Klorinda Çela është shkarkuar afro një vit më parë nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjyqtarja nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë të Vettingut. KPK ka konstatuar se Çela ka fshehur pasurinë. Për pasurinë gjyqtarja është hetuar edhe më herët nga ILDKPKI-së. Me 24 Mars 2014 ILDKPKI ka kallëzuar penalisht gjyqtaren Çela, për fshehje të pasurisë.
Nga analiza e të gjithë dokumentacionit të administruar nga ILDKPKI, lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Klorinda Çela dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare ka rezultuar gjyqtarja ka deklaruar në mënyrë të rreme disa pasuri, që po i radhisim më poshtë.
Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e një apartamenti. Mungesa e burimit të krijimit të depozitës në Tirana Bank përdorur për blerjen e një apartamenti. Deklarim i rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. për blerjen e një apartamenti në Rr.”Don Bosco”.
Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 Euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008 – 2011 nga shtetasi A.M. Fshehje e shumës së derdhur në katër transaksione në llogarinë në RFZ Bank, nga burime të dyshimta.
Fshehja e blerjes së automjetit tip Benz. Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë e RFZ Bank. Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë rrjedhëse në Union Bank.
Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare – Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis Çelës dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të ketij personi pranë Raiffeisen Bank. Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme.
Edhe në shqyrtimin e pasurisë së bashkëshortit të znj. Çela, z.Ken Dhima, gjithashtu gjykatës, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ka gjetur fshehje dhe deklarime të rreme. 150 mijë euro ka fshehur vetëm në një kontratë dyqani. Disa nga pikat e renditura për këtë gjykatës janë:
Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e një apartamenti. Mungesa e burimit të krijimit të depozitës përdorur për blerjen e një apartamenti. Deklarim i rremë për huamarrje nga shtetasi A.Ç.
Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008 – 2011 nga shtetasi me inicialet A.M.
Fshehja e kontratës së porosisë të lidhur midis shoqërisë së ndërtimit, porositësit A.Ç. dhe garantuesit Ken Dhima. Në këtë kontratë është porositur ndërtimi i një dyqani në Rr.“Don Bosko”, me sip.124 m2 me vlerë 150.000 euro. Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare.
Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis tij dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të ketij personi pranë Raiffeisen Bank.
Mosparaqitja e dokumentave justifikues të kërkuara nga ILDKPKI. Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme. Por gjyqtarja Klorinda Çela , pavarësosht këtij kallëzimi vijoi në sistemin e drejtësisë, për t;u shkarkuar pas hetimeve Vetting.
Akuzat e ministrit Manja 1 vit më parë për gjyqtaren:
1 vit më parë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kallëzoi në SPAK për gjyqtaren e Tiranës Klorinda Çela, e cila u shkarkuar në tetor të 2021 nga KPK.
Sipas Manjës, me një vendim të llojit “kap ça të kapësh”, gjyqtarja ka bllokuar ndërtimin e një teatri kukullash pranë Gardës së Republikës.
“Unë jam me avokatin e shtetit, për të informuar publikut me një rast skandaloz të abuzimit me detyrën e gjykatësit, gjykatësja K.Ç, në gjykatën civile të Tiranës ka lënë të shkruar në formën e një thirrje nga drejtësia vendimin për të marrë peng fëmijët e kryeqytetit dhe me fëmijët e tyre, që qeveria i ka premtuar një qendre të re, me teatër kukullash, në hyrje të Liqenit të Tiranës, te Garda e Republikës. Spostimi i gardës dhe hapja për fëmijët dhe bibliotekës, bëhet fjalë për një truall të shtetit, janë përgatitur projekt idetë për fillimin e saj, mirëpo gjykatësja K.Ç ka pasur një mendim tjetër, kur ministria bëhet gati të nis punën, prona e shtetit na del me barrë.
Pala paditëse në tejkalim të asaj që i kalon me ligj kërkon masa sigurimi deri sa të shqyrtohet në themel. Kundër ishte avokatura e shtetit, këshilli i ministrave, ministria e kulturës. Gjykata nuk e shqyrtoi kërkesën, përcaktoi si datë 18 nëntor 2021, për zhvillim seance normale ku do të thirrej dhe ministria e kulturës, gjyqtarja i njoftoi të gjithë për këtë datë, ndërkohë që bëheshin gati për këtë seancë, në 21.10.2021 gjykata disponoi një vendimmarrje për sigurim padie pa palët. Nuk gjykohet se ishte një vendim i ngutshëm pa praninë e palëve, në këtë logjikë nuk ka ndodhur asnjë fakt i ri që do justifikonte ngutjen e vendimit, palët po përgatiteshin duke grumbulluar prova dhe fakte, ndodhen përpara një vendimmarrje pa praninë e tyre. Ky absurd ka ndodhur kur gjykatësja do të dilte në vetting, që në fund e shkarkoi se nuk justifikonte pasurinë”, tha Manja.
Për çfarë vendimi akuzohet gjyqtarja Klorinda Çela:
Bëhet fjalë për pronën te Liqeni, te Garda e Republikës, ku sipas Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja kjo pronë ishte planifikuar që t’i vihej në shërbim fëmijëve për ndërtimin e Teatrit të ri të Kukullave, duke mos e prekur godinën e vjetër.
Ministri Manja sqaroi me detaje se prona që i përket shtetit, mbi të cilën do të ndërtohej Teatri i ri i Kukullave i është kaluar një subjekti privat në mënyrë të paligjshme me vulën e Çelës.
Sipas ministrit, kjo gjë është bërë me mjaft nxitim nga gjyqtarja të cilën ai e konsideron si pjesë e ‘kap ça t’kapësh’, pa praninë e palëve dhe vetëm pak ditë para se të shkarkohej nga detyra.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.