
Koncesioni i Triportit në Vlorë i është dhënë një bashkimi prej pesë kompanish, kundrejt detyrimit për të investuar në ndërtimin e portit të ri të mallrave të qytetit të paktën 45 mln euro pa TVSh.
Kompanitë përfituese të këtij koncesioni janë Agbes Construksion, Besta, Premion Construction & Maintenance, ITE Grup dhe Arkonstudio.
Forma e koncesionit është BOT, pra ndërto, opero dhe transfero me një afat 35-vjeçar. Kjo do të thotë se pesë kompanitë do të ndërtojnë dhe operojnë për 35 vite këtë port, duke arkëtuar në llogaritë e veta të gjitha të ardhurat që grumbullohen dhe më pas ta transferojnë veprën te shteti shqiptar.
Sa për kushtet teknike, projekti i Portit të Integruar Vlorë parashikon ndërtimin e një infrastrukture portuale në portin aktual të peshkimit në Vlorë me anën e të cilës do të bëhet e mundur transferimi i aktivitetit tregtar për përpunimin e mjeteve lundruese që transportojnë pasagjerë dhe mallra nga Porti i Vlorës në portin e ri, për t’i hapur rrugë ndërtimit të Portit të Vlorës në port jahtesh, hotelesh e rezidencash luksoze sipas koncesionit të fituar nga Samir Mane.
Porti i ri i mallrave dhe pasagjerëve, sipas kritereve teknike duhet të akomodojë minimalisht 133 anije lundruese peshkimi të gjatësive deri në 30 metra, dy mjete lundruese për transport pasagjerësh me gjatësi deri në 152 metra dhe një mjet lundrues për transport mallrash me gjatësi 120 metra.
Kriteret përcaktojnë se porti i ri duhet të sigurojë që marina të akomodojë minimalisht 400 anije. Marina duhet të akomodojë minimalisht 400 anije peshkimi. Ankorimet e llojeve të ndryshme tē anijeve duhet të reflektojnë flotën tipike moderne që pritet të lundrojë në detet Jon dhe Adriatik, duke u mbrojtur gjithashtu kundër ndryshimeve të mundshme në tregje dhe karakteristika të anijeve.
Ndërkohë, në lidhje me detyrimet e shtetit shqiptar gjatë ndërtimit, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se qeveria shqiptare do të fillojë të paguajë koncesionarin vetëm pasi të ketë përfunduar ndërtimi i portit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.