Paralajmërimi i një ish-anëtari të MEK që Shqipëria e shpalli ‘non grata’ se foli kundër organizatës

22 Qershor 2023, 15:36Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA ENTELA RESULI
Iraniani Ehsan Bidi dhe gazetarja Entela Resuli

Nga Entela Resuli*

7 vjet më parë intervistova iranianin Ehsan Bidi, i cili në atë kohë kishte 3 vjet që jetonte në Shqipëri.

Për disa kohë ai ka qenë pjesë e organizatës së muxhahedinëve, por më pas u shkëput prej saj. Qeveria e quan pjesë të organizatës ndërsa organizata spiun të qeverisë së Iranit.

Bidi është me profesion inxhinier mekanik, jetoi për disa muaj në Elbasan dhe më pas u zhvendos në Lushnje. Nga viti 2017 deri në 2020 jetoi në kryeqytet, në një banesë me qira. Pasi bëri disa deklarata në media, një ndër këto dhe intervista më poshtë, Bidi ne vitin 2020 u shpall non grata nga Shqipëria si një agjent i Iranit.

Në bisedë me të mësuam më shumë për atdheun e tij Iranin, çfarë ka vuajtur aty familja e tij, arsyet e ardhjes në Shqipëri dhe çfarë mendon ai për situatën e muxhahedinëve që janë në Shqipëri.

Pse u largua nga organizata. Çfarë janë në gjendje të bëjnë ata dhe pse ardhja e një numri të madh nuk duhet marrë aq lehtë…

Kur shkeli për herë të parë në këtë vend, në vitin 2013 qyteti i parë ku u vendos ishte Elbasani.

Ne e takuam Ehsanin pranë lagjes ku ai banon dhe bëmë një bisedë më të, jo vetëm për jetesën këtu, por mësuam më shumë nga ai për atdheun e tij Iranin, arsyet e ardhjes në Shqipëri dhe çfarë mendon ai për situatën e muxhahedinëve.

Çfarë ka ndodhur me ju dhe familjen tuaj në Iran?

Irani është nën diktaturë. E gjithë familja ime ka qenë mbështetëse e organizatës së muxhahedinëve. Një nga dajallarët e mi është varur nga regjimi iranian. Kjo ka lënë shenja në familjen time, pasi edhe dy dajallarë të tjerë u arrestuan dhe më pas u varën. Që nga ajo kohë unë që u bëra pjesë e organizatës së muxhahedinëve, por tashmë jam i shkëputur. U bashkova me organizatën, pasi në të njëjtën formë do të përfundoja edhe unë, si të afërmit dhe nëna ime.

Ju momentalisht jeni në Shqipëri, por a janë shtuar problemet familjes suaj për shkak të largimit tuaj nga Irani?

Nëna ime ka dy vite që ka vdekur. Vetëm babanë dhe motrën kam. Me ta bëj biseda të vazhdueshme me anë të internetit. Ata janë shumë të lumtur që unë kam ardhur në Shqipëri. Më parë kanë patur probleme, ndërsa tani, jo. Kur ata (qeveria e Iranit) e kuptuan që unë u bashkova me organizatën e muxhahedinëve, arrestuan prindërit, por edhe motrën time. Qysh nga momenti kur unë kam deklaruar që jam shkëputur nga organizata, nuk i kanë ngacmuar më. Por jam i bindur që komunikimet në telefon janë të kontrolluara.

Ju keni dalë kundra regjimit të Iranit për shkak të përndjekjes që i është bërë familjes suaj, apo ju vetë nuk e doni diktaturën?

Kushtet e dajallarëve të mi kanë lenë shenjë. Por mënyra e jetesës, mungesa e lirisë dhe varjeve që bëhen atje, të gjitha këto kanë ndikuar te reagimi im. Unë kam qenë 12 vjeç kur kam parë katër varje. Kam kaluar tortura. Fillimisht jam rrahur, vetëm se kam dal me të dashurën time në rrugë. E gjithë familja ime ka qenë nën presionin e regjimit. Nëna ime nuk shkonte dot të shihte nënën dhe motrat e saj. Vetë diktatura që paraqiste qeveria iraniane bëri që unë të kaloja në krahun politik.

Si ndiheni në Shqipëri, ndiheni i sigurt?

Deri tani, me ndihmën e policisë dhe me ndihmën që na ka dhënë Ministria e Brendshme këtu, ndihem disi i sigurt, edhe pse, herë pas here, ndjej një lloj frike që mund të ndodh diçka. Është organizata, e cila luan një lloj politike që mua më bllokojnë nga të gjitha anët.

Sipas meje organizata e muxhahedinëve është më diktaturë se sa vetë qeveria iraniane. Përpara 8 muajsh, organizata ka firmosur një peticion që unë të dëbohesha nga Shqipëria. Jam përpjekur që të evitoja largimin tim nga këtu.

Dmth ju keni kundër edhe organizatën, dhe qeverinë e Iranit… Kë urren më shumë në këto momente?

Organizatën e muxhahedinëve. Janë më të rrezikshëm se sa qeveria iraniane. Kam qenë mbështetës i tyre, kam jetuar me ta, dhe kam parë tortura të tmerrshme që janë bërë nga këta. Shokët e mi janë vrarë nga këta. Pafytyrësia e tyre nuk njeh kufij. Nuk kam problemet me vetë muxhahedinët , por me drejtuesit e tyre, ata janë njerëz si unë, ndërsa drejtuesit janë problematikë. Janë bërë shumë padrejtësi në emër të lirisë dhe demokracisë.

Çfarë mendon për muxhahedinët e tjerë do të vijnë në Shqipëri…?

Kam dëgjuar që rreth 2 mijë persona të tjerë do të vijnë. Ishte marrëveshja që këta do të shkonin në Rumani, por për në Rumani u mbyll nga presioni i qeverisë së Irakut.

Këta persona tani do vijnë në Shqipëri. Këtyre dy mijë personave që do të vijnë nuk u duhet dhënë shumë liri… E rëndësishme është që të mos u jepet mundësia e aktiviteteve që kanë bërë në Irak. Të jeni të sigurt që organizata e muxhahedinëve nuk është opozita e Iranit, atë e ka krijuar Amerika që të përdoret prej tyre. Ata po përpiqen që të mblidhen të gjithë në Shqipëri. Nëse 2 mijë persona vijnë këtu dhe nuk mbahen nën kontroll, Shqipëria ka humbur. Imagjinoni, do bëhen 3 mijë njerëz këtu, gati një qytet.

Ju shqiptarët, jeni njerëz shumë të mirë dhe mikpritës, por ju nuk i njihni qëllimet e tyre. Ju kujtoni se ata janë thjeshtë kundër Iranit? Nuk e dini që poshtë fytyrës njerëzore të tyre janë fshehur disa ujqër.

Pse duhet t’ju besojmë ju për këto që thoni?

Me mua nuk keni punë, mos më besoni. Jemi në shekullin e XXI dhe ekzistojnë forma të tjera për ta kuptuar, veprimet dhe aktivitetet e organizatës mund t’i shihni në vendet e Evropës dhe Arabi.

*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video