Emigracioni po lë gjyshërit në vetmi

25 Prill 2023, 10:01Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA ENTELA RESULI
Cift te moshuarish

Nga Entela Resuli

Muajt e fundit, për shkak të një projekti ku jam angazhuar më është dashur të lëviz në disa qytete e fshatra të Shqipërisë.  Ajo që kam parë dhe ndjerë është braktisje dhe trishtim!

Dy tre vitet e fundit lajmet se shqiptarët po largohen masivisht janë bërë të zakonshme, por kur këtë gjë e shikon nga afër ndjesia nuk është asgjë më shumë se sa trishtuese.

Tashmë nuk ka dallim, jug-veri, fshat, qytet! Gjithandej situata e largimit është njëlloj.

Të rinjtë, pavarësisht gjendjes ekonomike ku ndodhen, mundësinë e parë për të ndryshuar jetën e tyre zgjedhin largimin.

Çiftet e reja që martohen, preferojnë të emigrojnë për t'i lindur dhe rritur fëmijët jashtë vendit.

Ata që i kanë të vegjël ikin, për t'i shkolluar dhe edukuar në një vend ku ka pretendojnë se ka shkolla më cilësore, shëndetësi, siguri, argëtim, parqe...

Duket si një lloj epidemie që ka mbërthyer vendin. Ne qytetet e vogla, pa përfshirë këtu Tiranën, pasi për shkak të numrit të lartë të popullsisë, ende ka gjallëri, jeta sociale është e "vdekur".

Ka fshatra ku lindin 3-4 fëmijë në vit. Ka fshatra ku nuk dëgjon më të qara fëmijësh. Nuk dëgjon zhurmën e topit, zilen e biçikletës. Nuk dëgjon zëra fëminor.

Për gjyshërit e tyre, të cilët janë duke u çmallur me nipërit dhe mbesat vetëm nëpërmjet kamerës së telefonit, kjo është një ndër periudhat më pak të bukura në jetë. Duhet të ishte ndryshe! Por largimi i fëmijëve ka bërë që moshën e pensionit ta kalojnë në heshtje, pa patur pranë fëmijët e fëmijëve.

Moshat që kanë ngelur në Shqipëri janë kryesisht mbi 60 vjeç. Dhe këta kanë preferuar të qëndrojnë në vendin e tyre, duke mos iu bashkuar fëmijëve. Ajo që thonë njëzëri është se po i vret vetmia, por kanë zgjedhur të mos largohen.

Lidhja e ngushtë me shtëpinë, tokën i ka bërë që një fije kënaqësie  ta marrin vetëm këtu dhe askund tjetër.

Presin me padurim dy periudha kryesore në vit: pushimet e verës dhe festat e fundvitit, që mund të takojnë fëmijët e tyre. Ndërsa ajo që i ngushëllon është fakti se: të gjithë kështu janë!

Deri diku ndihen të shokuar dhe bëhen nostalgjik për kohën e 20 apo 30 vite më parë.

Ajo që shifrat thonë është se popullsia e Shqipërisë filloi të ulet që nga viti 1990, si pasojë e një emigracioni masiv. INSTAT përllogarit se gjatë viteve 2011-2020 vlerësohet se, mesatarisht 42 mijë persona emigruan çdo vit. Arsyet kryesore për emigracionin kanë të bëjnë me mundësi më të mira për punë, arsim dhe kujdes shëndetësor.

*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video