“Tjetër herë me vajzë” si përgjigje ndaj abortit selektiv

25 Mars 2023, 14:17Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA ENTELA RESULI
Djale apo vajze? Cfare preferojne shqiptaret

Nga Entela Resuli

"Dhoma e rrëfimit" do të jetë një kënd ku do të flasim, dëgjojmë, por edhe do të reflektojmë mbi ato çka shohim dhe mësojmë çdo ditë.

Do të bisedojmë me njerëz dhe si njerëz! Do të tregojmë histori suksesi, eksperienca pozitive dhe jo. Do të frymëzohemi, por edhe do të zhgënjehemi për ato çka do dëgjojmë.

Do të ftojmë personazhe të njohur e të panjohur që të ndajnë me ne copëza nga jeta e tyre.

Tashmë, unë edhe ju, do të takohemi në "dhomën e rrëfimit" në Vox News.

Sot do të flasim për abortin abortin me bazë gjinore që shkakton një raport jo biologjik në lindje midis femrave dhe meshkujve.

***

Dëshira për të pasur të paktën një pasardhës mashkull në familje është shkaku kryesor i aborteve të qëllimshme të foshnjave vajza në Shqipëri.

Raporti natyror gjinor i lindjeve për njeriun është mesatarisht 105 djem për 100 vajza, ndërsa në Shqipëri është 109 për 100, duke e renditur Shqipërinë në krye të Evropës për preferencën ndaj djemve kundrejt vajzave.

Edhe pse situata ka ardhur në përmirësim krahasuar me 15 vjet më parë, familjet shqiptare ende preferojnë të shtohen me djem, ndonjëherë duke e zgjedhur fetusin ose duke ndërhyrë në këtë proces, nëpërmjet abortit selektiv.

Në studime evidentohet edhe fakti se kërkesa për djem rrjedh nga rëndësia e përçimit të mbiemrit dhe identitetit të familjes në brezat pasues.

Pavarësisht ideve që secili ka për krahina të ndryshme, në raportin e UNFPA theksohet se aborti selektiv është i përhapur në gjithë Shqipërinë, me theks në zona urbane, ku dhe është përqendrimi më i madh i popullsisë.

Vajzat në shoqërinë tonë rriten me ide të shtrembëruar që, po të jesh djalë, ke më shumë vlerë në familje e shoqëri.

Këto ide u vijnë në mënyrë direkte dhe indirekte nga i gjithë ambienti ku rriten, i cili ende mbart praktika të dëmshme, që diktojnë se djali është ai që do të mbajë familjen më këmbë dhe do të shtyjë para zhvillimin.

“Tjetër herë me vajzë” si përgjigje ndaj abortit
Elsona Agolli, specialiste pranë UNFPA

Elsona Agolli, specialiste pranë UNFPA i tha Vox News se "megjithë arritjet në fushën e shëndetësisë, Shqipëria vazhdon të ketë disa probleme që kanë të bëjnë me nivelin e saj ekonomik dhe të lidhura ngushtë me traditën dhe normat që ndajnë shqiptarët në familjet e tyre. Ndër këto në veçanti mund të përmendim, abortin me bazë gjinore që shkakton një raport jo biologjik në lindje midis femrave dhe meshkujve".

Në raportin e përvitshëm “Gra dhe Burra” të INSTAT është vënë në dukje që ky raport gjinor në lindje vazhdon të jetë ende i paekuilibruar, 100 vajza:108 djem, që tregon që praktika e dëmshme vazhdon të ndodh në Shqipëri.

Kemi një përmirësim nga analiza e thelluar që UNFPA bëri një dekadë më parë, ku raporti ishte 100 vajza :111/112 djem, por megjithatë fenomeni vazhdon në disa zona të Shqipërisë".

Qytete të ndryshme kanë po ashtu sjellje të ndryshme ndaj abortit selektiv dhe për këtë arsye shifrat nuk janë të njëjta.

Elsona na thotë se  "Në analizën që bëmë sipas të dhënave në dispozicion nga INSTAT, vumë re që ndërsa në nivel kombëtar raporti gjinor në lindje është 108.1 djem për 100 vajza, në:

- Berat shfaqet 112 djem për 100 vajza

-Durrës, 110 djem për 100 vajza

- Fier, 111djem për 100 vajza

- Lezhë 110 djem për 100 vajza

Preferenca për djalë është e lidhur me mendësi të prapambetur dhe që është e pavlerësuar nga ata që e mbartin, sidomos kur vihet re që në realitet struktura e familjes së madhe tashme po ndryshon krejtësisht, ku prindërit nuk jetojnë më me fëmijët e tyre, në këtë rast bëhet fjalë me djalin apo djemtë".

Me djalë apo vajzë, të moshuarit po jetojnë vetëm

Gjithmonë e më shumë çiftet e moshuar jetojnë vetëm ndërsa fëmijët lëvizin drejt qyteteve apo emigrojnë. UNFPA, si agjenci e shëndetit seksual dhe riprodhues dhe të drejtave riprodhuese, mbështet ndër vite ndërhyrje për parandalimin e praktikave të dëmshme që cënojnë barazinë gjinore dhe minojnë fuqiziminin e vajzave dhe grave.

"Puna në edukimin shëndetësor me fokus edukimin seksual gjithëpërfshirës, apo puna shumë vjeçare kundër dhunës me baze gjinore përfshi edhe fushata si “Tjetër herë me vajza”, përfshirja e djemve dhe burrave në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, mendojmë që po kontribuojnë në emancipimin e shoqërisë në tërësi dhe ndryshim pozitiv në mendësi, traditat dhe stereotipet gjinore me qellim që vajzat janë po aq të dëshiruar sa edhe djemtë që në konceptim.

Në familjet që tashme po lindin vetëm një fëmijë, urojmë që kjo dëshirë të jetë për fëmijë të shëndetshëm, dhe jo abortime derisa të realizohet lindja e djalit.  Vajza është po aq e çmuar dhe e vyer sa edhe djali! Rëndësi ka një shtatzëni e shëndetshme, një lindje e shëndetshme, jo seksi i fëmijës që pritet të gëzojë familjen!"- shprehet Elsona e cila nuk harron të na theksoj se Raporti natyral i sekseve në lindje është rreth 105 djem për 100 vajza.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Video