"Njerëzit nuk po ikin më nga Shqipëria për një vend pune, por për një jetë më të mirë"

27 Mars 2023, 17:23Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA ENTELA RESULI
Albatros Rexhaj

Nga Entela Resuli

Me Albatros Rexhaj mund të hapësh shumë tema diskutimi dhe ai me maturi jep argumentin e tij.

Është i qetë dhe i drejtpërdrejt. Qetësi në fakt që ia përcjell edhe bashkëbiseduesit duke ndihmuar që koha të kalojë shpejt dhe biseda të të duket e shkurtër.

Albatrosin e njohim si shkrimtarin e dashurisë, si filozof dhe si personalitet i cili flet hapur edhe për eksperiencën e tij jetësore.

Në këtë periudhë e ndan kohën mes Prishtinës dhe Tiranës, te kjo e fundit i pëlqen gjallëri dhe nervozizmi në të njëjtën kohë që ka brenda vetes ky qytet.

Pas një kohe disi të turbullt në jetë, tashmë duke se po e jeton atë, pasi ai thotë se nëse nuk e jetojnë jetën tonë nuk kemi se çfarë të rrëfejmë më pas...

"Unë jam nga ato njerëz që kur më kap dëshira të bëj diçka dhe ngrihem dhe e bëj. Ne të gjithë themi se jeta është e bukur, por përse nuk po e jetojmë jetën e bukur?”- thotë Rexhaj.

Albatrosi është i ftuari ynë në "Dhomën e rrëfimit" për të na treguar shumëçka mbi veten dhe shoqërinë që na rrethon.

-Albatros, si ka qenë për ju kjo periudhë?

I jam rikthyer shkollës dhe po përpiqem të mbyll ca gjëra që i kam lënë zvarrë për një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë jam duke u përpjekur të jetoj. Për një shkrimtar gjithmonë duhet të vlejë parimi “Rrno për me tregue”, pra nëse nuk e jeton jetën nuk ke as ccfarë të rrëfesh.

-Çfarë ju bën përshtypje në Tiranë sa herë që jeni këtu, cila është ajo gjë që ju bie në sy?

Unë realisht jetoj në dy qytete, në Prishtinë dhe në Tiranë. Që të dy qytetet i përjetoj si habitate natyrore të miat, por duhet ta them që kohëve të fundit jetën sociale e kam zhvendosur më shumë në Tiranë. Tirana ka shumë gjallëri, por edhe shumë nervozizëm brenda vetes. Është një harmoni konstante e kundërshtive dhe kjo gjë mua më tërheq shumë.

-Po kur takoni dikë për herë të parë, çfarë ju bën përshtypje?

Mënyra si e mban veten dhe energjia që përçon. Unë besoj që njerëzit që realisht ndihen të përmbushur nuk ndien asnjë nevojë për t’i dëshmuar diçka dikujt. Ata thjesht janë aty, me mua, në versionin e tyre më të mirë.

-Duket se tashmë, me përhapjen masive të rrjeteve sociale njerëzit, ose më saktë një pjesë e tyre tregojnë  aty se çfarë hanë, çfarë pinë, çfarë shtëpie kanë, ku i bëjnë pushimet... Pse kemi këtë dëshirë për t'i treguar të tjerëve jetën tonë?

Ajo që është nuk tregohet, ajo gjë vetvetiu shihet. Ndërkaq ajo që realisht nuk është ka nevojë për sforcim. Dhe si rrjedhojë e këtij sforcimi, në rrjete sociale ka aq shumë “dashuri” familjare, shoqërore, pune etj, edhe pse në realitet ato janë thjesht fiksione që ekzistojnë vetëm në platforma të rrjeteve sociale.

-A ka diçka që nuk shkon këtu apo është normale në kohët që jetojmë?

Nuk ka. Njeriu gjithmonë ka qenë kështu. Rrjetet sociale thjesht e kanë nxjerr të gjithën në pah. Njeriu në esencën e vet është një qenie e palumtur, një qenie që edhe kur e gjen lumturinë nuk ndalet derisa e rrënon vetë. Jetojmë me frikë nga gjykimi i të tjerëve gjithmonë duke gjykuar vetë këdo që na del para.

-A mos po jetojmë në një kohë "boshë" apo po e ekzagjeroj me këtë?

Ligji i Hermesit thotë “çfarë ka lart, ka edhe poshtë” apo “cfarë është brenda, është edhe jashtë”. Koha boshe është vetëm pasqyrë e njeriut që ndihet bosh. Njerëzimi ndihet ashtu prandaj edhe ka prirje të jashtëzakonshme destruktive. Që në momentin e parë që e pranojmë këtë fakt të të ekzistuarit tonë, çlirohemi nga kthetrat e diktatit të turmës dhe mbase mund të kemi një rast për të bërë diçka ndryshe.

-Më shumë këtë pjesën e famës në rrjetë e kërkojnë djemtë apo vajzat? Dhe a keni ju një identikit se si është sot një mashkull dhe një femër në Shqipëri. Çfarë tiparesh dhe karakteristikash kanë? ata që janë në "modë"', sigurisht?

Çun me lekë, e goca me cica e bythë. Fatkeqësisht kaq ka ky muhabet. Ky është arketipi që mendohet, supozohet, që është në modë. Realiteti është tjetër, sepse jeta kërkon diçka pak më shumë se vetëm lekë apo vetëm cica e bythë. Kam përshtypjen që ne akoma jemi në fazën e egër të kapitalizmit.

-Çfarë kanë humbur?

Paguajnë faturën e rinisë së humbur të brezit të prindërve dhe të gjyshërve të vet gjatë kohës së komunizmit. Nuk duhet kurrë të harrojmë që diktatura në Shqipëri e ka tjetërsuar ADN-në sociale dhe kulturore të shqiptarëve dhe kjo gjë do shumë kohë, e breza, për t’u riparuar.

-Në Shqipëri, ka një lloj "epidemie" për t'u larguar nga vendi. Sidomos nga rinia. A vini re një lloj depresioni në shoqëri dhe nga se vjen kjo?

Njerëzit ikin për një jetë më të mirë dhe mundësi më të mëdha. Tani janë shumë pak ata që ikin për shkak që në Shqipëri nuk ka një vend pune. Sot ikin sepse nuk duan të punojnë nën diktatin e njerëzve të poshtër (institucione e kompani private) që vartësitë e vet i trajtojnë pa dinjitet dhe respekt. Ky është brezi që e ka kuptuar që puna nuk duhet të të sjellë vetëm lekë, por edhe respekt dhe dinjitet. Ky nuk është depresion, por është revolucion i refuzimit të asaj që shitet si normë.

-Albatros, një nga programet me të ndjekur momentalisht është Big Brother Vip. I ndjekur dhe i komentuar. Si e shpjegoni sukses të formatit?

Më mirë Big-un se transmetimin e Kuvendit Popullor. Te Big-u së paku e dinë çfarë po ndodh.

-Luizi, një djalë dhe artist që me lojën e tij ia ka rrëmbyer zemrën të gjithëve. Meritë e Luizit apo edhe pak e shoqërisë që gjithmonë kërkon një personazh për ta glorifikuar, mitizuar...?

Luizi ka përmbledhur të gjitha ato cilësi që shqiptarët i duan te vetja, por që pakkush ka guxim t’i manifestojë te vetja. Luizi flet hapur, është i drejtpërdrejtë, nuk e vret shumë mendjen, dashuron me zë, dashuron me lojë, dashuron me protesta, nuk përton dhe ka guxim të kapet gush për gush dhe po ashtu tërë kohën është i qetë. Secili shqiptar ëndërron të jetë diçka kështu. Dua edhe unë, prandaj jam 100% teamLuizi.

-Ju vetë si e shihni Luizin, si karakter, si lojtar...?

Nuk e mendoj aq shumë. Thjesht e shijoj. Ne shkollë të artit, na thoshin: mos e lodh kokën çfarë ka dashur të thotë autori. Disa gjëra thjesht janë.

-Si e mendoni, çfarë parashikoni për të kur të dalë jashtë? Si mund të arrij ta menaxhoj këtë sukses?

Shpresoj vetëm që të qëndrojë larg kthetrave të politikës ditore, si të Edit ashtu edhe të Saliut. Nëse i futet politikës, dhe mendoj që e ka qejf atë punë, le të futet si Luan që nuk pranon të qëndrojë nën hijen e dikujt tjetër.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video