Trupi që duan të gjithë! Si të gjejmë motivimin për t’u ushtruar

29 Maj 2023, 10:50Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Marin Camaj

Nga Entela Resuli*

Të jesh instruktor palestre, shpesh duhet të bësh astrologun, doktorin, fallxhorin... për t'u përgjigjur të gjitha pyetjeve që bëjnë ata që duan një trup perfekt, brenda pak ditësh.

Marin Camaj është nga ata djem që një pjesë të mirë të ditës e kalon mes veglave të palestrës. Ca për punë e ca për qejf, por tashmë kjo është jeta e tij.

Na është krijuar një ide se djemtë të cilët janë të përkushtuar në stërvitjen e trupit të tyre mbeten vetëm aty, të ngritja e shtangave dhe pista e vrapit duke mos shkuar më tej, por kjo gjë nuk ndodh me Marin Camajn.

Ai është fizioterapist dhe një nga trajnerët e fitnessit më të famshëm në rrjetet sociale, por jo vetëm kaq, ai promovon dhe frymëzon për një jetë të shëndetshme duke u fokusuar jo vetëm të aktiviteti fizik, por te gjithçka që lidhet me ushqyerjen e trurit dhe të trupit.

Nëse njëra nga të dyja ‘çalon” atëherë nuk ia kemi dalë me sukses në misionin tonë për të bërë një jetë të shëndetshme.

Marini këtë herë ka ndarë me ne disa këshilla se si të gjejmë motivimin për t’u ushtruar, si të bëjmë një jetë të shëndetshme dhe për të na treguar se çfarë ka më shumë rëndësi kur duam të humbim peshë; reduktimi i ushqimit apo stërvitja.

Më poshtë një bisedë me MarinCamajn.

-Marin, një pjesë e mirë e punëve tashmë bëhen përpara kompjuterit. Shumë njerëz qëndrojnë për orë të tëra ulur, a shkakton ky qëndrim probleme në trupin e njeriut?

Për fat të keq, po. Qëndrimi me orë të gjata ulur, shoqëruar kjo dhe me mungesën e aktivitetit fizik, është një formulë e sigurt për shqetësime në kohë afatshkurtër ose afatgjatë të tipit: Shtim në peshë, shqetësime të fundshpinës apo qafës, ngarkesa nervore psikologjike, lodhje kronike, etj

Trupi që duan të gjithë! Si të gjejmë motivimin
Marin Camaj

-Një njeri që bën këto lloj punësh, çfarë duhet të bëjë për të mbajtur trupin e tij në formë?

Aktivitet fizik me ushtrime force, kundra rezistencës dhe ushtrime kardiovaskulare. Pra, sipas mundësisë dhe rrethanave mund të zgjedhë mes ushtrimeve me vegla apo pajisje në palestër, ushtrimeve me peshën e trupit në shtëpi, yoga, pilates, bashkangjitur me ushtrime kardiovaskulare si not, vrap, biçikletë, etj

-Ka shumë persona të cilët “betohen” se të hënën do të shkojnë në palestër dhe këtë gjë e shtyjnë dhe e shtyjnë për shkak të mungesës së motivimit dhe nuk e bëjnë asnjëherë. Çfarë do u thoje këtyre personave, si do i motivoje?

Mos e kompliko si gjë. Nise me hapa të vegjël. Mendo të bësh vetëm 10 minuta ushtrime në ditë gjatë javës së parë, aq. Mund ta fillosh dhe në shtëpi nëse do. Më beso, nëse ke kohë pa aktivitet, mjafton, do ndjesh ndryshim. Do shtohet vetëbesimi dhe vetëmotivimi. Duke qenë aq e bëshme dhe aq e kollajtë, ndërkohë që do shikosh dhe përmirësime gjatë rrugës, do shtohet motivimi për të vazhduar më gjatë. Më pas, javë pas jave gradualisht rrit kohën e ushtrimeve

-Sa rol ka ushqimi dhe sa aktiviteti fizik në dobësimin e një personi?

Ushqimi ka rolin kryesor në këtë pjesë. Sado stërvitje të bësh, nuk mund të kompensosh për një ushqim të pakontrolluar

-Në vëzhgimin tuaj, djemtë apo vajzat kujdesen më tepër për trupin e tyre në vendin tonë?

Mendoj që është një ndarje e barabartë.

-Cilat janë kërkesat e tyre më të çuditshme, a ka nga ata që duan të dobësohen shpejt, në kohë të shkurtër?

Patjetër, kryesisht para verës apo eventeve që kanë, gjë që i shtyn të aplikojnë praktika ushqimore dhe stërvitore të pakontrolluara dhe me raste të dëmshme për shëndetin

– Sipas jush është më mirë të stërvitesh në darkë apo në mëngjes dhe pse? Më mirë në palestër apo natyrë?

Edhe pse studimet tregojnë që pasditja është më e përshtatshme pasi trupi është më i ushqyer dhe i hidratuar, pyetja për çdo person duhet të jetë, “kur është momenti gjatë ditës më i përshtatshëm për mua që më lejon ta vazhdoj stërvitjen gjatë në kohë”. Për shumicën dhe mua gjithashtu, mëngjesi, pasi ti je më në kontroll të kohës tënde, më i freskët fizikisht dhe mendërisht, dhe e nis ditën me energji dhe pozitivitet

Unë jam fans i natyrës, dielli, oksigjeni, kontakti me tokën. Por je i limituar në ushtrimet që mundesh të bësh. Prandaj një e mesme është e këshillueshme

-Marin, ju shohim në rrjetet sociale dhe jeni gjithmonë në formë duke dhënë këshilla për të tjerët, po ju vetë a keni ndonjëherë mungesë motivimi, a lodheni dhe si e kaloni këtë moment?

Patjetër që po, jeta është tepër dinamike dhe janë momente që na ndodhin të gjithëve dhe kur ndodh e shikoj si pjesë normale të procesit, duke bërë çfarë mundem që ta balancoj. Duhet ta shikojmë si tango. Dy hapa para, një mbrapa. Rëndësi ka që në plan afatgjatë po përparon dhe ndihesh më mirë

Trupi që duan të gjithë! Si të gjejmë motivimin
Marin Camaj

-Na tregoni diçka për veten, ju keni studiuar fizioterapi? Kur ka qenë momenti që keni menduar që ky do të ishte profesioni juaj?

Po, kam mbaruar studimet për fizioterapi. Ndodhi gradualisht si rezultati i asaj që erdhi nga përkushtimi dhe dëshira për të përmirësuar këdo klient me të cilin kisha kontakt në palestrën time të parë ku punoja

-Dhe në fund, a mund të na rendisni disa pika ku njeriu të përqendrohet për të bërë një jetë më të mirë, më të shëndetshme mendërisht dhe fizikisht?

Patjetër. Mirëqenia është e thjeshtë por e kompleksojmë duke shtuar mbi esencialen.Ruaj kontaktin me natyrën. Ekspozohu ndaj tokës, ec zbathur, prek barin, pemën. Ndiq lindjen, perëndimin e diellit. Krijo një rutinë ditore. Konsumo ushqimet e tokës, ato të shtrembrat e të “shëmtuarat” por që shijojnë kaq shumë. Shto sasinë e proteinës dhe frutave/perimeve të stinës. Jepi trupit ujë, lëngje. Stërvitu 3-5 herë në javë me ushtrime force. Bëj sport, noto, vrapo. Dëgjo muzikë të bukur e kërce më tepër. Praktiko yoga, medito. Dëgjo trupin, fli më shumë, pak më herët. Bëj dush të ftohtë dhe sauna. Më pak rreze ekrani, më shumë rreze dielli.

*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video