Ingridi, vajza që udhëton e vetme për të shijuar ushqimin në vende të ndryshme të botës

8 Maj 2023, 11:55Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA ENTELA RESULI
Ingrid Xhaja

Nga Entela Resuli*

Ingrid Xhaja është një shijuese e mirë e ushqimit. Ajo prej vitesh është njohur si një kritike e kulinarisë dhe shërbimit në blog-un e saj. Dhe jo më kot. Ingridi merr valixhen dhe niset në një destinacion jo për foto, por për të shijuar dhe zbuluar kuzhinën e një vendi të caktuar.

Qëllimi primar i një udhëtimi për të është kuzhina, të tjerat vijnë më pas.

Duket se nuk ka për t'u ndarë asnjëherë nga ky pasion, madje gjatë rrugës ka mësuar se si ta kthejë këtë pasion edhe në profesion. Ajo ka hapur një dyqan online ku bënë ëmbëlsira dhe aty mund të gjeni një mikrobotë me shije të ëmbël.

Sot, me Ingridin, vajzën që udhëton vetëm, pasi nuk ka të ngjashme me veten, kemi bërë një bisedë në Dhomën tonë të rrëfimit.

Më poshtë intervista...

-Ingrid, e kujton udhëtimin e parë? Si ka qenë si ndjesi për ty dhe çfarë të ka bërë përshtypje?

E kujtoj shumë mirë në fakt. Isha 12 vjeçe dhe shkova në Itali ku do të kaloja një vit të plotë për shkak të trazirave të 1997. Mbaj mend që çdo gjë më bënte shumë përshtypje. Që nga habia se si italianët mund të hanin çdo ditë makarona pa u mërzitur aspak e deri tek arti dhe kultura e jashtëzakonshme e qyteteve italiane.

-Si e vendos për të shkuar në një vend të caktuar. Domethënë si e zgjedh destinacionin?

E zgjedh kryesisht bazuar në traditën kulinare. Është shumë e rëndësishme për mua të njihem nga afër e të thellohem në këtë aspekt, sepse më ndihmon edhe për punën time.

-Udhëtimet i ndjen si nevojë për t'u shkëputur nga rutina apo tashmë të janë bërë pjesë e rutinës?

Pati një periudhë që arrita të stabilizoj një lloj rutine, nëse mund ta quajmë të tillë. Programoja një udhëtim me rëndësi çdo gjashtë muaj dhe e kaloja kohën midis duke menduar detajet e atij udhëtimi. Kjo fazë i përkiste kohës kur edhe puna ime ishte shumë pak dinamike e krijuese. Pas pandemisë e sidomos pas çeljes së Rubit, udhëtimet u rralluan por u bënë më të domosdoshme. U kthyen në nevojë konstante për frymëzim dhe kërkim mundësish biznesi. Pra tani janë pothuaj punë :)

-Në mos gaboj, ti, në udhëtimet e tua ndalesh te ushqimi. Pse të tërheq kjo pjesë? Disa njerëz tërhiqen nga historia, natyra, monumentet. Ti ke ndalur të ushqimi, pse?

Sepse mendoj që ushqimi është arsyeja më e bukur për të zbuluar kulturën, dijen dhe kreativitetin e një populli. Një fotografi apo një moment i kaluar përpara një monumenti apo ndërtese nuk mbulon dot atë që mund të kuptosh duke u thelluar dhe provuar ushqime që burojnë nga histori më të gjata e komplekse. Për më tepër që duke provuar ushqime tej zonës tonë të rehatisë, zgjerojmë horizonte në një mënyrë shumë më të plotë sesa vetëm duke shëtitur. 

-Do të na renditësh disa vende ku ke udhëtuar duke na përshkruar karakteristikat e veçanta në ushqim?

Kjo do të meritonte një artikull më vete :) Por do veçoja një aspekt që zakonisht më shqetëson. Ushqimet Aziatike shpesh konsiderohen si një “grumbull” atje tej pa kuptuar veçoritë që secili shtet ka. Shpesh edhe duke u shoqëruar me qasje raciste si “atje hahen qen e mace”. Shtetet e Azisë janë jashtëzakonisht të mëdha dhe ushqimet atje janë të shumë-llojshme. Nuk do mundem të përshkruaj shumë prej shijeve të jashtëzakonshme që kam gjetur atje, por do thoja që gjithkush duhet të provojë patjetër sa më parë, supën Pho dhe roletë e freskëta të Vietnamit, Pad Thai dhe supën Tom Yum të Tajlandës, Sambalin Balinez, Pulën Katsu, Gyozat Japoneze. Kurse për sushin, duhet doemos të ikni atje. :P 

-Çfarë ndodh me ty kur udhëton, e planifikon vetë udhëtimin tënd apo zgjedh të shoqërohesh nga një guidë vendase?

E planifikoj vetë duke lexuar shumë guida apo blogje për të kuptuar se çfarë eksperience dua të marr nga udhëtimi. Ruaj gjithashtu hapësira boshe për improvizime apo liri për të shijuar momentin. Në këto hapësira hera herës blej ndonjë shërbim apo turne të shkurtër lokal, si p.sh vizita në tempuj, turne ushqimi rruge etj.

-Të pëlqen më shumë Evropa, apo jo?

Evropa është e mrekullueshme, por nuk është ajo që më entuziazmon vërtetë. Është fakt i njohur që kam një dashuri të veçantë për Azinë juglindore.

-Të udhëtuarit vetëm është zgjedhje nga halli se nuk ka të ngjashme si ty, apo kështu je më e lirë dhe nuk je e kushtëzuar nga dëshirat e të tjerëve?

Besoj që ishte një vendim “nga halli” vetëm herën e parë. Pastaj u kthye në një stil të udhëtuari që më jep mundësinë të zbuloj qytetin dhe kulturën në mënyrën time. Mbetet mënyra ime e parapëlqyer e të udhëtuarit.

-Je ndjerë ndonjëherë e frikësuar diku, ose të ka ndodhur ndonjë incident, vjedhje...si e ke zgjedhur?

Natyrisht ka gjithmonë momente frike kur je kaq larg gjeografikisht dhe kulturalisht. Jam gjendur në zona të çuditshme ose kam hasur në ture që dukeshin shumë amatore, jam carë në këmbë duke bërë sërf, por për fat të mirë asgjë dramatike nuk është shënuar deri më tani. Besoj që një prej frikërave të të udhëtuarit vetëm është pikërisht kjo, frika nga ndonjë incident dhe mungesa e mbështetjes nga një partner udhëtimi.

-Çfarë ke marr ti nga këto udhëtime, tashmë je bërë një kuzhiniere e mirë apo një kritike kuzhine?

Kam marrë shumë, eksperiencë, njohuri, guxim. Jam bërë një njohëse më e mirë e ushqimeve që shumë shpesh keqkuptohen ose keqinterpretohen në këtë pjesë të globit. Kjo ndoshta ka thelluar edhe më tej qëndrimin tim kritik. Besoj tek kritika si retorikë zhvillimi.

-Dikujt që ka dëshirë të konsumojë ushqim të mirë, cilin vend do i sugjeroje?

Në Evropë destinacioneve më të njohura kulinare do i sugjeroja San Sebastianin në rajonin Bask të Spanjës. Në Azi do i sugjeroja të niste me Tajlandën.

-Cila është eksperienca më e bukur kulinare që ke kaluar deri më tani dhe ku?

Shumë e vështirë të veçoj një. Besoj eksperienca që më ka mësuar më shumë ka qenë Japonia.

-Ingrid, po në Shqipëri, në restorantet tona, si gatuhet? Çfarë ka të mirë dhe çfarë nuk shkon?

Unë e kam shprehur shpesh edhe në blog që restorantet tona kanë një mesatare të pëlqyeshme. Gatuhet relativisht mirë me çmime të përballueshme. Por në aspektin e risive, guximit, kombinimeve dhe krijimtarisë jemi shumë pas. Ndjej që edhe kultura kulinare reflekton atë lloj sipërfaqësie që karakterizon edhe aspekte të tjera të shoqërisë tonë, ndërkohë që kjo fushë kërkon shumë thellim, shumë përkushtim dhe shumë këmbëngulje.

-Mesa kemi parë, në Shqipëri je fokusuar te ëmbëlsirat, pse? Dhe pse punoni vetëm online ?

Kam një lidhje të veçantë emocionale me ëmbëlsirat. Në familjen tonë ëmbëlsirat kishin një vend të veçantë ndaj jam mësuar që e vogël që t’i çmoj dhe kremtoj. Më pas u shtua pasioni dhe dija dhe e gjeta veten aty ku dëshiroja duke shprehur plotësisht të gjithë pasionin, vizionin dhe krijimtarinë time.

Ne jemi një biznes i krijuar në pandemi ndaj edhe e gjithë struktura e organizimit është ndërtuar online. Për më tepër e ardhmja e të gjitha shërbimeve është online ndaj na u duk me vend që

-Cila është ëmbëlsira më e pëlqyer tek Rubi?

Gjatë këtyre dy viteve kam vënë re një fenomen tek Rubi: të gjitha tortat kanë shitje të ngjashme. Ky fakt më jep shumë besim që kemi arritur të përmbushim shijet e ndryshme të klientëve tanë sqimatarë. Megjithatë nëse do duhet të veçoja mbretëreshën tonë, do veçoja L’ Origine, tortën tonë me çokollatën e vyer Vietnamez që e kam zgjedhur vetë gjatë udhëtimit në Vietnam.

-Sa vende ke vizituar deri më tani dhe cilin konsideroni si me të veçantin?

Nuk i kam numëruar por besoj janë diku 40 jo më shumë. Kam vënë re një mani për të vizituar sa më shumë vende sa për t’i hequr nga lista. Kjo nuk është ajo që pëlqej të bëj. Personalisht, do dëshiroja të kaloja më shumë kohë në secilin vend për tu thelluar e për të zbuluar ato shtresa kulturore që nuk shikohen lehtë në pamje të parë. Besoj aty qëndron edhe bukuria e vërtetë. Kështu për shembull do rikthehesha në vendin tim të preferuar, Japoninë, edhe 10 herë të tjera pa u mërzitur më mirë se të shkoja diku ku nuk ndihem e frymëzuar.

-A ka një vend në hartë që e ke piketuar për të 'fluturuar' së afërmi?

Po kam në plan të zbuloj pak më tepër nga perëndimi këtë herë :) Jam shumë entuziaste dhe mezi po pres.

*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video