Entela Resuli*
Pak kohë më parë, një raport i INSTAT tregonte se për herë të parë që nga viti 1923, kur nisi të matej popullsia e vendit, popullsia e Shqipërisë, në vitin në vitin 2021 ka numëruar më shumë vdekje se sa lindje.
Ky është një lajm jo shumë i mirë për sa i përket faktit që ne shumë shpejt nuk do të renditemi më në popullsitë me moshë të re.
Vitet e fundit, gjithmonë e më tepër janë raportuar lajme të cilat tregojnë një krizë që po përjeton familja në Shqipëri. Kemi numër të lartë divorcesh. Martesa ka gjithmonë e më pak dhe mosha e atyre që martohen është rritur. Nga ana tjetër ka shumë pak lindje.
Sot një familje normale maksimumi mund të ketë dy fëmijë, më shumë konsiderohet tepër.
Gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke shënuar një rënie me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2021 humbën jetën 30.580 persona, duke shënuar një rritje me 10,8 %, krahasuar me një vit më parë.
Shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt 2021 tregon se janë 898 vdekje më shumë se sa lindje. Ndërsa në të gjithë vitin 2021 shtesa natyrore ishte 3.296 vdekje më shumë se sa lindje. Shqipëria është karakterizuar nga shtesë natyrore pozitive ndër vite. Shtesa natyrore negative për vitin 2021 është ndikuar edhe nga situata e pandemisë Covid-19, raportoi INSTAT.
Ka fshatra në Shqipëri, ku për shkak se të rinjtë janë larguar, kanë emigruar, nuk dëgjohen më të qara bebesh. Nuk ka nëna që nxjerrin fëmijët e tyre me karrocë dhe në qendrat shëndetësore nuk regjistrohet asnjë fëmijë për të bëra vaksinat që i kërkohen nga protokolli shëndetësore.
Në Shqipëri, seksi dhe martesa nuk shkojnë më bashkë
Numri i martesave është ulur ndjeshëm vitet e fundit në vendin tonë, ndërsa numri i divorceve është rritur në kufijtë e shifrave alarmante.
Shqiptarët martohen më pak se 5 vite më parë. Janë lezhjanët ata që preferojnë martesat më shumë se personat e qyteteve të tjera të vendit.
Sipas INSTAT, norma bruto e martesës, që do të thotë, numri i martesave për mijë banorë është 7,7 martesa. Kjo vlerë në qarkun e Lezhës është 10,2 martesa për mijë banorë dhe më e ulta është regjistruar në qarkun e Tiranës me 6,8 martesa për mijë banorë.
Sociologu Gëzim Tushi e konsideron rënien e numrit të martesave si një lajm të keq social.
Ai thotë se ky fenomen ndikon negativisht jo vetëm në aspektin demografik, që ndihmon procesin e plakjes së popullsisë por dhe për një varg problemesh morale, sociale, psikologjike dhe të seksualitetit human.
Sociologët japin mendimet e tyre në lidhje me këtë situatë që ndikon jo pak në demografinë e popullsisë.
“Padiskutim është një problem social i rëndësishëm, që nuk ka të bëjë vetëm aspektin demokratik që lidhet me martesën si institucion i riprodhimit, por edhe ka të bëjë edhe me martesën, rënia e tyre për flet krizë të brendshme të saj, si divorci konflikte dhe probleme të tjera të saj që e gërryejnë nga brenda, bie kredibiliteti i saj dhe kjo bën që të rinjtë t’i tërhiqen martesë e të kenë frikë prej saj”- shprehet sociologu Gëzim Tushi.
Për të, nuk duhet mohuar edhe fakti që në se në të kaluarën martesa ishte edhe institucion i seksualitetit, sot ky funksion është spostuar për shkak se është liberalizuar seksualiteti dhe mundësitë e plotësimit të saj jashtë institucionit të martesës.
Nga ana tjetër, thotë sociologu Tushi, një pjesë e të rinjve të dhënë marrëzisht pas suksesit, karrierës, famës personale duket se ose e harrojnë ose e shmangin vlerën apo detyrimin e martesës.
“Femrat nga ana e tyre janë bërë më selektive për partnerin. Ato nuk duan të martohen me një dembel, parazit, alkoolist dhe ca më pak me një partner që i cenon sovranitetin duke e kthyer atë nga partnere në skllave.”-shprehet sociologu Tushi. Ai mendon se, edhe pse duket se martesa është një lidhje stresante apo problematike për të rinjtë, ata duhet të mendojnë se qëndrimi jashtë martesës si rregull nuk e ka të mirë as perspektivën individuale por as atë sociale.
“Një martesë që nuk ka hapësira lirie e besueshmëri reciproke nuk funksionon. Kjo bën që të ketë dhe shkaqe të tjera si prishja e lidhjeve, humbja e sentimentalizmit bashkëshortor. Pavarësisht problemeve që ka martesa, unë dua t’u them të rinjve që martesa është institucion i rëndësishëm i jetës”- shpjegon sociologu.
*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.