
Entela Resuli*
Xhokondën nuk e ka bërë shkolla artiste, por fakti që është rritur në një shtëpi ku arti ishte pjesë e saj. Gjyshi ka qenë piktor dhe lodrat e para të saj kanë qenë bojërat dhe peneli.
Pothuajse të gjitha veshjet e Xhokondës në fëmijëri e kanë nga një shenjë të lënë nga boja, shenjë që e ndoqi gjithë jetën, duke i diktuar në një formë edhe rrugën që do të ndiqte më pas.
Xhokonda Dule ka përfunduar Liceun Artistik në degën e skenografisë-kostumografisë dhe pas ka vazhduar Akademinë e Arteve për tekstil-fashiondesign.
Sot ajo është pedagoge pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku prej tre vitesh, jep mësim në fakultetin e shkencave pyjore me drejtim industrinë e drurit me fokus dizajni i mobiljeve dhe interierit.
Aty jep vizatim të lirë. Është viti i tretë i lançimit të kësaj dege në UBT.
“Ka prurje shumë të mira studentësh, departamenti mundohet t’i orientoj drejt tregut të punës. Organizon trajnime të ndryshme, fton kompani me emër. Ka lidhur edhe një kontratë shkëmbimi me një universitet në Vienë.
Mësimdhënia është super, unë gjithmonë kam përgatitur nxënës, student për në Akademi të Arteve.
Kjo tani është më ndryshe sigurisht. Mundohem të jem pak më ndryshe nga pedagogët e tjerë, dmth ruaj atë linjën e pedagogeve të mi të akademisë.
Çka bëj ndryshe është i jap më shumë liri, mundohem të jem më tepër këshilluese, kjo shton edhe kreativitetin te ata. Janë të kënaqur me punën time. Tani ata do prezantojnë edhe punimet e tyre, projektet e lëndës së vizatimit ku besoj do kenë suksesin e vitit te kaluar”- tregon Xhokonda.
Kohën e lirë pas mësimdhënies e kalon në studion e saj, pranë Komunës së Parisit.
Përveç pikturës, ato që bie në sy është se Xhokonda realizon maska ku lënda e parë është… gazeta.
Nuk është çudi që faqet e kësaj gazete të përfundojnë një ditë në maskë nga ana e Xhokondës.
Ajo ka marr përsipër të prodhojë maska në Tiranë, të cilat mund të përdoren në aktivitete të ndryshme, por mund të jenë edhe zbukuruese.
Ajo e pranon hapur që artisti në Shqipëri ka shumë sfida, pasi sipas saj në këtë vend është e vështirë të bësh art, edhe për shkakun e varfërisë kulturore të individëve.
Megjithatë Xhokonda ndihet mirë në botën e maskave!
“Maska është simbol i fshehjes, i riteve të cilat janë pjesë trashëgimie sot në kultura të ndryshme. “Maska shpreh më shumë të vërteta se fytyra” shkruan O.Wilde. Roli i maskës në jetën e njeriut “hedh vallen e parë”, shprehet Dule.
Ne kemi folur me Xhokondën, jo atë të Leonardoda Vinçit, por vajzën nga Tirana e cila na ka treguar botën e saj, përtej maskave dhe angazhimin si pedagoge.
-Xhokonda, si je gjendur mes ngjyrave dhe lapsave, ky profesion për ty ka qenë zgjedhje…?
Lidhja ime me artin nis që në fëmijëri. Interesi im për artin ka lindur që në moshë të vogël, mes erës së bojërave të vajit të tim gjyshi dhe nganjëherë mendoj se edhe emri që unë mbaj, Xhokonda, duket sikur ka projektuar rrugën time.
-Emri që mban me siguri e ka një histori?
Emrin Xhokonda e ka zgjedhë gjyshja ime. Ajo nuk merret me art ka tjetër profil, por bashkëjetesa (për shumë vite tashmë) me gjyshin tim piktorin Bardhyl Dule ka zhvilluar mjaft ndjeshmërinë e saj përkundrejt artit. Dëshira e saj, kur unë linda ishte pikërisht caktimi i emrit të pikturës më të famshme të historisë së Artit Figurativ ‘Mona Liza’ apo ndryshe ‘Xhokonda’ e L.DaVincit.
-Paske kaluar një fëmijëri me ngjyra…
Poo, dhe e ndjej veten me fat për këtë. Kam lindur dhe rritur në qytetin e Tiranës. Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur dhe e kujtoj gjithmonë me mall. Meqë jam fëmijë i vetëm, mbesa e parë dhe vajza që gjyshërit e kishin ëndërruar, unë u rrita me shumë dashuri, me shumë përkëdhelje.
Mbaj mend vizitat e shpeshta që bëja në studion e gjysh Bardhylit, në katin e parë të Pallatit të Madh të Kulturës ku ai udhëhiqte sektorin e artit. Vizitoja shpesh me të ekspozitat, çdo të diel shkoja ose në Teatrin e Kukullave ose në Cirkun e Tiranës. Kam qenë një fëmijë shumë i dashur. Kam patur shumë lodra dhe kukulla, i stiloja vetë veshjet e tyre, gati gjithë ditën merresha me to dhe çdo njeri e kishte të ndaluar t`i prekte.
-Për çfarë keni studiuar?
Unë kam studiuar në Lice Artistik në degën e skenografisë- kostumografisë dhe pasi fitova një përvojë gati katër vjeçare mbi këtë degë vendosa që në Akademinë e Arteve, kësaj përvoje do i përshtatej dega e tekstil-fashiondesign. Atelieri i Tekstilit kur unë fillova atë vit ishte pasuruar në program, ka qenë e vazhdon të jetë ndër atelierët më të mirë dhe me shumë produktivitet në Fakultetin Figurativ.
-Në mes shumë punëve të tua, maskat janë ato që bien në sy, pse jeni fokusuar edhe në këtë drejtim?
Maskat me material të riciklueshëm, bazë gazetë është tema ime e diplomës. E kam zhvilluar jo rastësisht ketë produkt i cili tashme është kthyer në një biznes arti. Më shumë se te fokusi i maskës si objekt ajo çfarë vlen të ketë fokus është procesi i ekzekutimit, materiale e përdorura dhe padyshim mesazhi që unë synoj të përcjell.
-Si i realizon ato, mund ta na tregosh pak për punën që bën. Cili është procesi?
Realizimi i maskës i përket një procesi të gjatë dhe të vështirë. Ato gjithnjë lindin nga një kallëp bazë i cili përfitohet nga një masë skulpture e mandej punohet me gazetë, përpunohet me napë, vinovil deri sa të përtohet faza e fundit ku i nënshtrohet patinimit, lyerjes dhe me pas vjen faza e pikturimit ose pasurimi me elementë të maskave veneciane. Faza e pikturimit është një tjetër art më vete, ku padyshim ka impenjimin e saj.
-Maska ka në vetvete një mesazh të caktuar apo jo?
Sigurisht që maska ka një mesazh duke qenë se është me material të riciklueshëm. Mesazhi është i qartë. Të shumtë janë artistët në botë që me veprat e tyre kanë bërë të mundur lindjen e ‘Eco-artist’ dhe përveç mesazhit tentojnë të ushtrojnë një ndërgjegjësim në masë (popull) për mbrojtjen e ambientit përmes objekteve artistike.
-Është e vështirë të punosh me materiale të riciklueshme dhe pse ke zgjedhur këtë lloj forme?
Është shumë e vështirë të punosh pasi të merr shumë kohë dhe do shumë durim. Kjo formë e të bërit art është zgjedhur nga unë në mënyrë të qëllimshme, pasi kisha shumë dëshirë të realizoja diçka ndryshe në një vend të vogël si Shqipëria, ku çdo ditë mbin “piktorë” të rinj, si kërpudha pas shiut.
-Për çfarë përdoren maskat që ti realizon?
Maskat që unë realizoj janë në disa forma. Prodhoj maskë me elemente veneciane të cilat janë edhe funksionale për evente dhe festa të ndryshme, maska argëtuese për fëmijë por kryesisht maskat janë për funksion arredues, sidomos maskat me kornizë. Sigurisht kjo është një preferencë për njerëzit që kanë shije të hollë artistike.
-Ku do të arrish me realizimin e maskave, e ke një qëllim?
Maska tashmë e ka një qendër të vogël biznesi. Unë kam si qëllim zhvillimin e këtij biznesi, edukimit përmes këtij lloji arti sidomos në brezat e rinj. Sigurisht kjo do vij në mënyrë graduale, por momentalisht po punoj për realizimin e një katalogu ekspozeje veçanërisht për maska dhe një strategji që do të ndjek.
-Xhokonda, çfarë roli ka maska në jetën e njeriut…?
Maska është simbol i fshehjes, i riteve të cilat janë pjesë trashëgimie sot në kultura të ndryshme. “Maska shpreh më shumë të vërteta se fytyra” shkruan O.Wilde. Roli i maskës në jetën e njeriut “hedh vallen e parë”. Njerëz me maska? Ne të gjithë përdorim maska, është naive të mendosh të kundërtën, vela e maskës nuk është gjithnjë në sensin negativ apo të keq.
-Është e vështirë të jesh artiste ne Shqipëri, pse?
Është shumë e vështirë të jesh artiste në Shqipëri, pasi këtu mungojnë shumë gjëra. Në mes të këtyre gjërave, ajo më e rëndësishme është varfëria në kulturën e individëve. Unë kam qënë përherë i mendimit se Artin me A’ të madhe masa nuk e kupton, megjithatë këtë, pikërisht këtë duhet që artisti shqiptar t`a ktheje në sfidë!
-Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se është e domosdoshme edukimi artistik që në vegjëli, ashtu siç bota jashtë ka kohë që eksperimenton.
Shqipëria është një vend i vogël e për çudi artistët i ka të mëdhenj. Arti Figurativ shqiptar ka patur turbulenca përgjatë historisë. Nuk ka qenë e lehtë kalimi nga periudha e komunizmit në post-90`. Fatkeqësisht post 90` solli një humbje më të madhe identiteti artistik, sepse atë që bota e kish` realizuar shekull më parë, ‘artisti shqiptar’ e nis në vitet e demokracisë.
Në fushën e artit figurativ mbështetje financiare ka shumë pak, për të mos thënë aspak. Arti kërkon suport, ose nga biznesi ose nga shteti, në qoftë se s`merr as nga njëra e as nga tjetra është i dënuar të dështojë.
*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.