"Kirurgjia estetike është drogë. Me doza të vogla e marrin njerëzit inteligjentë"

24 Qershor 2023, 10:27Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Nga Entela Resuli

Janë dy periudha në Tiranë kur njerëzit, sidomos vajzat nxitojnë të korrigjojnë inperfeksionet e tyre në pamjen e jashtme: kur afron stina e verës dhe gjatë festave të fundvitit. Në këto kohë ose kanë më shumë kohë ose do të jenë më të ekspozuar, në plazhe apo festa të shumta dhe duan të ndihem më të sigurta në pamjen e tyre.

Pak vite më parë, kirurgu estetik, Marco Gasparotti është rrëfyer mbi atë ccka ndodh në botën e kirurgjisë estetike dhe ndërhyrjeve kozmetike.

Ende Instagrami nuk kishte ndikimin që ka sot, duke vendosur tiparet e “pranueshme” për rrjetin social, të modifikuar përmes filtrave të panumërt, por Kim Kardashian dhe shumë të famshme që kishin ndryshuar paraqitjen përmes kirurgjisë estetike dhe procedurave më pak invazive, si injeksionet  ishin tashmë subjekt zilie për miliona vajza dhe gra, pavarësisht moshës apo etnisë.

Asnjë  grua nuk i ngjan tjetrës, thoshte profesori  italian  dhe një nga motot e tij ishte  t’ua bënte të ditur pacienteve se ka kufij, përtej të cilëve nuk mund të kapërcesh...

“Nëse gruaja e kupton që ekziston sharmi dhe jo bukuria, mbase nuk do të kishte nevojë për asgjë. Nuk duhet të jetë një kërkim i dëshpëruar i bukurisë, por të një kirurgjie elegante, një kirurgji që nxjerr në pah  anët më të mira, duke i vlerësuar por pa i ndryshuar ama”, më thoshte ai.

 Nëse je bërë mirë, atëherë kjo është kirurgjia që nuk shihet, shtonte ai,  ose ajo që të lë me dyshimin, “por ajo që dallohet është e shtirur  dhe kjo i bën njerëzit të kenë frikë nga kirurgjia estetike. Ajo që bërtet në dukje, është kirurgji e bërë keq”, mendonte kirurgu italian, i cili fliste për edukim të njerëzve mbi kirurgjinë estetike.

Kujdes nga kirurgjia “low cost”

Por vetëm pak vjet më pas, injeksionet me botoks dhe acid hialuronik janë bërë aq popullore, sa duket se ato që u nënshtrohen as e shohin të nevojshme të konsultohen me specialistë, por i kryejnë procedurat edhe në qendra estetike.

“Kini kujdes nga  kirurgjia “low cost” në studio mjekësore. Jo, kirurgjia duhet bërë në spitale. Me analiza, me ditë për t’u rikuperuar... Gjërat e bëra në pak kohë, nuk shkojnë mirë”, këshillonte ai. 

Obsesivet, të depresionuarat, të sapondarat, ato që hyjnë në garë me të bijat, ato që hyjnë në garë me gratë e tjera “kush është më e bukura” , ishin kategoritë të cilat kirurgu i shmangte së operuari, por që përbënin edhe 45 deri 50% të klientelës, ose pacienteve, siç kanë dëshirë ta theksojnë kirurgët estetikë.

 “Nuk i operoj, sepse nuk janë kurrë të kënaqur. Duhet të  jesh mirë ti, të përmirësohesh, por jo të hysh në konkurs me të tjerat”, thoshte ai, duke i dhënë rëndësi së pari profilit psikologjik.“Kirurgjia estetike është art dhe psikologji”, shprehej ai.

Shpesh mjekët dhe kirurgët plastikë apo estetikë e shohin veten si artistë, ose deri edhe zota të vegjël që “përmirësojnë” krijesat e papërsosura të Krijuesit.

 “Duhet të jesh shumë i përulur në këtë punë. Kur të rritet mendja, gabon. Gjithnjë duhet të kesh frikë përpara një operacioni. Duhet ta shohësh si operacionin e parë që bën. Çdo gjoks është i ndryshëm nga tjetri, çdo grua është e ndryshme nga tjetra, edhe lëkura nuk është  e njëjta. Nuk ka kurrë një ndërhyrje të njëllojtë”, përshkruante ai, duke mohuar atë ndjesinë e ekzaltimit që i bënë të ndihen gati-gati krijues.

Kirurgjia estetike, për profesorin italian ishte mjekësia e artit; të dizajnosh vëllimet e të kuptosh çfarë nuk shkon në një fytyrë dhe trup. “Nuk mund t’i bësh një gjoks të bukur një vajze obeze, që nuk kujdeset për veten, nuk bën gjimnastikë, ha tepër... Pra, duhet t’i a bësh të kuptojë që së pari duhet të dobësohet pastaj të bëjë estetikë”.

Ndryshon pamja, po karakteri?

 A ndryshon edhe karakteri me pamjen fizike të modifikuar sipas vizionit të pacientes, të të dyve bashkë me kirurgun apo edhe ndonjë pamjeje të gatshme nga ndonjë e famshme, fytyrën e së cilës ato që u nënshtrohen të tilla ndërhyrjeve duan të imitojnë?

 “Me pamjen fizike ndryshon edhe karakteri te njerëzit inteligjentë. Nëse janë obsesive, jo. Ato nuk janë kurrë të kënaqura”, shprehej Gasparotti.

Kirurgjia estetike  sot shihet si kirurgji pune;  aktorët e bëjnë për  publikun e tyre, gratë për veten por edhe për të tjerët.

“Ka shumë njerëz sot, mbi  45 vjeç;  avokate, gra të biznesit, menaxhere që u duhet të mbajnë një aspekt eficience dhe rinie, ndaj bëjnë lifting.  E bëjnë edhe mbi moshën 65-vjeç.  Nëse je një grua e bukur dhe të duket se po plakesh, duhet të mirëmbahesh”.

Për Gasparottin, mendim që me siguri e ndajnë thuajse të gjithë kolegët e tij, kirurgjia estetike duhet bërë qysh e re në mënyrë që të mos plakesh keq, të jesh e rregullt  dhe e bukur.

Por nuk është vetëm kirurgjia;  janë peeling-ët  kimikë, laser-at, filler-at, etj. “Ta nisësh ngadalë e të mos shkosh  50 vjeç ,  të bombardohesh  me ndërhyrje e të shndërrohesh në një person tjetër”, thoshte ai, duke sugjeruar drejt ndryshimit gradual të pamjes.

Profesori italian nuk e mohonte rrezikun e varësisë tek pacientet apo klientët që zgjedhin t’u nënshtrohen këtyre procedurave.“Kirurgjia estetike është drogë.  Me doza të vogla e marrin njerëzit inteligjentë, pastaj janë  të varurat  nga aktore, modele ... Shumë e gabuar.”

Për ato që duan t’u ngjajnë modeleve në pasarelat e modës – ndonëse edhe shumë prej tyre u janë nënshtruar procedurave estetike në dekadën e fundit -, kirurgu e bënte të qartë se ideja ishte tek përmirësimi i bazës që ke. 

“Kirurgjia estetike është si të krijosh një fustan të bukur.  Por duhet të dish edhe si ta veshësh. I veshur keq,  e humbet bukurinë”.

Bukuria në rrjetet sociale

Pacienteve nuk u këshillohet të mendohen dy herë për procedurën që duan të kryejnë. Për kirurgun ishte e rëndësishme që pacienti apo pacientja ta dëgjonte kur duhej apo nuk duhej ndërhyrë.  “Është si një shtëpi e bërë vetë ose  nga arkitekti. Kush do e ketë ndërtuar më mirë?! Pastaj mund të bësh si të duash vetë, por të paktën dëgjo, ose shko te një arkitekt tjetër”.

Mania e bukurisë duket se ka arritur pikun, me zhvillimet e teknologjisë së informacionit dhe përhapjen e rrjeteve sociale. Madje edhe vajza e gra profesioniste, të cilat në peshoren përballë pamjes, vinin trurin nuk i shpëtojnë më presionit të standardeve të reja.

“Bombardohen çdo ditë nga gra të bukura  dhe burra të bukur. Pra që fëmijë mësohesh më këtë...”

Sipas Gasparotti-t , të paktën në 20 vitet e  fundit ajo që ka ndikuar shumë të vendosjen e standardeve të reja të bukurisë  ka qenë  Maison Gucci. Imazhet  e modeleve të kësaj shtëpia mode priren më shumë nga pamjet më androgjine, të atyre vajzave të bukura por edhe me një pamje të egër. Pamje gati prej skamnoreje,  por elegante.  I kushtohet rëndësi kockave të fytyrës dhe nofullave. Edhe në fizik po ashtu;  gra androgjine me gjokse të vëna në pah,  por jo të  tepruara dhe me buzë të plota, por jo shumë.

Nëse më parë ishin  ndërhyrjet korrektuese si defektet në hundë apo tek veshët, sot është ekzagjerim i tipareve  seksuale;  gjoksi, buzët, vithet dhe lifting-u.

Dhe kjo do të zgjasë aq sa edhe tendencat që sjellin shtëpitë e modës, revistat e tanimë rrjetet sociale që na ushqejnë çdo ditë me pasiguri dhe me dëshirën për të ndryshuar pamjen, sipas aksh modeleje  duke rrezikuar sheshimin e të gjithë  tipareve dalluese që e bëjnë botën më të larmishme dhe bukurinë të përkufizohet tek ajo shprehja se “qëndron në syrin e kundruesit”. Sytë e kundruesve sot shohin të njëjtat fytyra, në njerëz të ndryshëm dhe në vend të ruajnë veçantitë kërkojnë të unifikohen me modën e re...

*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video