Kuvendi përjashton me 5 ditë Petrit Vasilin pas kërkesës së socialistëve, ja fjala që përdori ndaj Ballës

24 Nëntor 2022, 16:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vasili dhe Balla

Kuvendi ka vendosur të përjashtojë me 5 ditë deputetin Petrit Vasili pas kërkesës së deputetit socialist për fyerje të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Ballës.

Arsyeja ka qenë për shkak se Vasili iu drejtuar Ballës me fjalët , “skizofren, idiot”. Deputetët socialistë: Etjen Xhafaj, Antoneta Dhima, Petro Koçi, Gerta Bardeli, Ilir Metaj, Jurgis Çyrbja dhe Milva Ikonomi kërkuan përjashtimin me 10 ditë të Vasilit, por Kuvendi e ka përjashtuar vetë me 5 ditë.

Njoftimi i Kuvendit:

U mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën

Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, marrë shkas nga sjellja
joparlamentare e deputetit z. Petrit Vasili, ku gjatë leximit dhe interpretimit jo të saktë të Rregullores së Kuvendit dhe në
kundërshtim me procedurat, ju drejtua me fjalë fyese Kryetarit te Grupit të PS, z. Balla, në fillim të punimeve te seancës plenare, datë 24.11.2022.

Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 5 (pesë) ditë” për deputetin z. Petrit Vasili.

Ky vendim hyn në fuqi në datën 25.11.2022

Një pjesë e debatit

Vasili: Boll i gënjyem shqiptarët, neni 28 pika tre është konsumuar që kur e futet me procedurë të përshpejtuar.
Balla: Lexoje lexoje…
Vasili: O skizofren, nuk flet fare për kohën e diskutimit. Na lerë ta lexojmë mos bëj si idiot…Po qetësohu mo…

Video