Marrëveshja e 6 Nëntorit mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit për ngritjen e dy qendrave për emigrantët në Shqipëri rrezikon që të mos zbatohet prej Francesco Becchetti-t.
Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, Italia do të ndërtojë dhe operojë vetë dy qendrat e emigrantëve, ndërsa në këmbim Shqipëria do të përfitojë 100 milionë euro financim.
Por, 100 milionë eurot e planifikuar si ndihmë financiare për Shqipërinë për ngritjen e dy qendrave, mund të përfundojnë në xhepat e Francesco Becchetti-t, kjo nëse gjykatat italiane i japin të drejtë në padinë që ai ka ngritur për bllokimin e këtyre fondeve kur ato të alokohen nga Roma në drejtim të Tiranës.
Padia e depozituar nga biznesmeni italian shoqërohet me vendimin e gjykatës së arbitrazhit të Bankës Botërore. Becchetti pretendon se vendimi është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për zbatim nga pala italiane.
Me të njëjtin vendim, Becchetti ka ngritur padi edhe në Belgjikë, ku ka bllokuar llogaritë e Albcontrol. Të ardhurat e Albcontrol grumbullohen nga Eurocontrol, që më pas ja shpërndan shoqërisë shqiptare.
Francesco Becchetti fitoi Arbitrazhin në Uashington ndaj Shqipërisë. Gjykata gjeti shkelje në vendimin e mbylljes së Agon Channel dhe gjobiti Shqipërinë me 110 milionë dollarë. Bashkë me interesat për vonesat, kjo shifër aktualisht përllogaritet në rreth 130 milionë dollarë.
Ndërkohë, paralelisht me procesin në Arbitrazhin e Bankës Botërore, ndaj Francesco Becchetti-t zhvillohej në Tiranë një proces penal me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave. Në përfundim të këtij procesi, biznesmeni italian u dënua me 17 vite burg nga gjykatat shqiptare.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.