Një lajmj i trishtë kaploi ditën e sotme artin, teatrin dhe humori shqiptar. Mjeshtri i madh, Zef Deda u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga vetë djali i tij, duke u shprehur se babai i tij ndërroi jetë pasi prej kohësh përballej me një sëmundje të rëndë.
Zef Deda, lindi në qytetin e Shkodrës më 27 korrik 1950, ku e nisi karrierën e tij në moshë të re pranë teatrit “Migjeni”.
Me një karrierë të jashtëzakonshme që zgjati më shumë se 40 vjet, Deda bëri emër me performancat e tij të jashtëzakonshme në skenë dhe kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e humorit shqiptar.
Ai u largua nga Shqipëria për një periudhë gjashtëvjeçare për shkak të emigrimit, por kthimi i tij në atdhe në vitin 1996 i gjeti fansat e komedisë duke e pritur me padurim.
Zef Deda ishte i martuar me Rozina Dedën, dhe bashkë kanë dy djem, Marion dhe Julianin, i cili është gjithashtu aktor i njohur i humorit në Shqipëri.
Humbja e Zef Dedës shënon një kapitull të mbyllur në historinë e arteve performative në Shqipëri.
Ndërsa komuniteti artistik dhe dashamirësit e teatrit shprehin ngushëllimet e tyre, vepra dhe kujtimi i Zef Dedës do të mbeten të pavdekshme në zemrat dhe mendjet e shumë shqiptarëve që u rritën dhe u frymëzuan nga shpirti dhe fryma e tij e paharrueshme.
VoxNews i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të aktorit, Zef Deda, u prehtë në paqe!