SPAK thotë se ka identifikuar një pjesë të pasurive të Ervin Matës dhe Erzen Breçanit, që dyshohet se kanë si burim financimi trafikun e drogës në vendet e Bashkimit Europian.
Për këtë, siç njoftoi fillimisht prokuroria e posaçme ka dorëzuar edhe kërkesën për sekuestrimin e tyre. Kërkesa duhet të miratohet nga ana e gjykatës. Përvoja nga raste të ngjashme në të shkuarën na mëson se në të tilla raste, vendimi i gjykatës mund të kërkojë kohë prej faktit se hetimet me karakter financiar janë gjithmonë më të vështira.
Prokurorët e posaçëm nuk kanë bërë publike ndonjë listë me prona, llogari bankare, kompani e biznese të tjera të personave të arrestuar, apo që janë në kërkim si pjesë e këtij grupi.
Por, ajo që dihet janë disa biznese publike sidomos të Ervin Matës, apo familjarëve të tij. Në emër të Luan Matës, babait të tij është kompania e ndërtimit Victoria Construction, e njëjta kompani që po ndërton kullën polifunksionale me pesë kate nëntokë dhe 24 kate mbi të te ish-Ekspozita. Gjithashtu, në pronësi të familjes Mata është edhe Hotel Victoria vendosur në rrugën e Dibrës.
Pasuritë e Erzen Breçanit nga ana tjetër shtrihen nga kompani në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve deri te ato të sigurisë dhe ruajtjes fizike. SPAK nuk ka bërë publike ende listën e pasurive, por në mungesë të tyre mund të bëhet një përllogaritje e tyre, duke filluar nga kulla deri te HEC-i i Breçanit.
Pa përfshirë llogaritë bankare, që SPAK mund të ketë shënjestruar, vlera e tyre shkon në të paktën 10 milionë euro. Shifra mund të tingëllojë modeste nëse kihet parasysh përgjimi i Erzen Breçanit, ku i thotë djalit të tij se ‘me ndershmëri ka arritur që të bëjë 3 milionë euro’.
Me dosjen e kopsitur me përgjime, SPAK sugjeron se sekuestrimi i këtyre pronave është thjesht çështje kohe…
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.