Kush është gjyqtarja e GJKKO, që liroi Jamarbër Malltezin!

21 Nëntor 2023, 12:28Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha/ Iliriana Olldashi/ Jamarbër Malltezi

Iliriana Olldashi, është gjyqtarja e cila shqyrtoi çështjen e ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit.

Seanca në Apelin e Posaçëm për Berishën dhe Malltezin, e cila drejtohej nga gjykatësja, Iliriana Olldashi, ndryshoi masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Ndërsa avokati Genc Gjokutaj bëri me dije se për ish-kryeministrin Sali Berisha nuk është ndryshuar masa e sigurisë.

Vendim i GJKKO-s ka qenë rasti i parë për ndryshimin e masës nga arrest me burg në arrest shtëpie, vendim i cili nuk është marrë asnjëherë më parë qysh nga krijimi i kësaj gjykate.

Ky standart gjykimi nuk është zbatuar as për të akuzuar të tjerë të cilët kanë patur akuza nga më të ndryshme duke marrë rastet, e katër ish-kryebashkiakëve, Vangjush Dakos, Safet Gjici, Fatos Tushe dhe Fredi Bejlerit edhe në rastin e ish-drejtorit të RTSH-s, Thoma Gëllçi, GJKKO ka vendosur masë arrest me burg.

Por duket se po e njëjta gjyqtare jep vendime edhe më ekstreme si në rastin e deputetit, Alqi Bllako, ky i fundit u lirua nga burgu por gjyqtarja, Iliriana Olldashi, vendosi ta rikthejë sërish në qeli.

Një prej vendimeve më flagrante ishte ajo e pak kohëve më parë, kur Iliriana Olldashi vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë SPAK, për të vendosur nën sekuestro serverin e nje medie, pasi redaksia zbuloi skandalin e “patronazhistëve të Partisë Socialiste”.

Ilirjana Olldashi, caktoi “arrest me burg” për të ndjerin Enver Sheshi. Avokati i Sheshit i kishte parashtruar shkaqet shëndetësore në GJKKO së Apeli, por ishte refuzuar nga Olldashi.

Pak kohë më parë ajo ishte në qendër të një skandali që u publikua nga emisioni investigativ “Stop”, të cilët e akuzuan gjyqtaren e shumëpërfolur për shantazh dhe presion ndaj gazetarëve të cilët denoncojnë skandalet qeveritare dhe personave të lidhur me pushtetin.

Karriera dhe pasuria e deklaruar e gjyqtares, Iliriana Olldashi

Iliriana Olldashi e ka filluar karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërsa në vitin 2005 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Nga marsi i viti 2020 e deri më tani, Iliriana Olldashi mban pozicionin e gjyqtares në Gjykatën e Posaçme te Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Kush është gjyqtarja e GJKKO, që liroi Jamarbër Malltezin!

Sipas deklarimeve pasurore të cilat iu referohen të dhënave të vetingut, të cilin Olldashi e kaloi me sukses në vitin 2019, gjyqtarja  ka një kredi prej 5 milion lekësh  me afat 25 vjet dhe interes 3%.

Deri në vitin 2014 gjyqtarja rezulton se ka shlyer 3 742 520 lekë për këtë kredi. Ndërsa gjendja e pasurisë cash në atë vit ka qenë 600.000 lekë. Të ardhurat e saj nga paga si gjyqtare në vitin 2014 kanë qenë 1.580.145 lekë.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video