Nuk do jetë kamp, por qendër PARABURGIMI! Çfarë është “VRIMA E ZEZË” që do ndërtohet për emigrantët në GJADËR

10 Nëntor 2023, 20:34Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një qendër paraburgimi në Itali

Struktura që do të ndërtohet në Gjadër dhe do të presë mijëra emigrantë ilegalë nga Italia është quajtur “qendër migrantësh”, apo edhe kamp, por në fakt nuk do të jetë aspak e tillë.

Ajo çka do të ndërtohet në Gjadër to të jetë qendër paraburgimi për emigrantët që kanë “ekspuls”, apo janë dëbuar nga Italia.

E quajtur ndryshe si CPR, Italia vetë ka 13 qendra të tilla paraburgimi në të gjithë territorin e saj, duke nisur nga Bari, në Brindisi, Torino e Milano.

Këto qendra paraburgimi kanë një kapacitet të vogël, rreth 100 persona secila dhe në total, të dhjeta mbajnë pak më shumë se 1 mijë emigrantë, sipas statistikave të vitit 2021, numër që mund të jetë rritur disi më tepër për shkak të fluksit të madh gjatë këtij viti.

Këto qendra paraburgimi në Itali janë shndërruar në problem, teksa ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare kanë ngritur zërin kundër tyre, për shkak të kushteve mizore dhe shkeljeve të të drejtave bazike të njeriut në këto qendra.

Më e njohura është ajo e Torinos, ku kanë ndodhur incidente të shumta dhe protesta të dhunshme. Një 19-vjeçar emigrant nga vendet e treta u sulmua me thikë nga tre persona të paidentifikuar në Itali. Pasi u trajtua në spital, ai u dërgua në CPR-në e Torinos ku u vendos në izolim. Vetëm pak ditë më pas ai u gjet i vetëvrarë brenda qelisë.

Italia ka të drejtë të ndalojë çdo emigrant që nuk ka dokumenta dhe ta mbajë në izolim deri në 120 ditë, teksa i është dhënë urdhri i dëbimit. Shpesh në këto qendra paraburgimi përfundojnë ata emigrantë që konsiderohen ndër mëtë dhunshmit, dhe që pasi kanë mbërritur në Itali, kanë kryer krime si vjedhje, grabitje, ngacmim seksual e të tjera.

Kjo ngre pikëpyetje nëse ata emigrantë që do të vjnë ën Shqipëri, janë ata të cilët janë burgosur për krime të ndryshme, konsiderohen si kërcënim për publikun apo kërcëni për sigurinë kombëtare, apo ata të cilët siç është thënë deri tani – kapen në varka në ujërat ndërkombëtare, pa shkelur ende në tokë.

Gjithashtu, kjo rrëzon edhe deklaratën e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se në Shqipëri do të ndërtohet 1 kamp i ngjashëm me ata 3000 që ka Italia. Në fakt është 1 qendër paraburgimi e ngjashme me 13 prej të cilave ka Italia, dhe që do të ketë një kapacitet dyfish më të madh se të gjitha qendrat e Italisë të marra së bashku.

Por kjo rrëzon njëkohësisht edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se në Shqipëri do të qëndrojnë emigrantët të cilëve po u procesohet kërkesa për azil. Në fakt, në këto qendra përfundojnë vetëm ata që nuk kanë më shans për azil dhe janë të dëbuar tashmë.

Qendrat e paraburgimit në Itali kanë marrë pseudonimin “vrimat e zeza” për shkak se mungon thuajse plotësisht transparenca se çfarë ndodh brenda tyre. Në këto qendra nuk lejohen të hyjnë anëtarë të organizatave joqeveritare për të monitoruar situatën. Të ndaluarve u merret telefoni sapo hyjnë dhe u lejohet vetëm për një kohë të shkurtër sa për të kontaktuar me familjarët e tyre, dhe kjo nën mbikëqyrjen e policisë. Po ashtu, shpesh është raportuar se të ndaluarit rrijnë edhe 2 apo 3 vakte pa ngrënë, për shkak se brenda këtyre qendrave ka makineri ushqimi me para, dhe nëse nuk kanë të holla, ata mund të mbeten edhe ditë të tëra pa ngrënë.

Të dyja strukturat që do të ngrihen në Lezhë, në portin e Shëngjinit do të jetë struktura pritëse, dhe më në brendësi të tokës në Gjadër do të ndërtohet qendra e paraburgimit, do të jenë nën juridiksionin e Italisë. Autoritetet shqiptare do të angazhohen vetëm me ruajtjen e sigurisë, ndërsa mbetet e paqartë se si do të procedohet me kthimin e emigrantëve të dëbuar në vendin e tyre të origjinës.

Video