Ekskluzive/ Ambasadorit i zbulohet ‘njolla’ në biografi? Pse nuk e dekreton Begaj emrin e Qirjako Qirkos

31 Tetor 2023, 13:23Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ambasadori shqiptar në Britani, Qiriako Qirko dhe mbretëresha e ndjerë Elizabeth II

Qeveria dhe Presidenca kanë rinovuar përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në pjesën më të madhe të shteteve ku vendi ynë ka ambasadorë.

Listat emërore të propozuara nga Edi Rama, pasi kaluan të gjitha filtrat dhe u diskutuan në komisionet parlamentare u kaluan pa asnjë problem nga Kuvendi dhe u përcollën për dekretim nga Presidenti Bajram Begaj.

Ky i fundit miratoi pa probleme të gjitha propozimet, me përjashtim të njërit prej tyre. Krahasimi i listës që i ka mbërritur në zyrë Presidentit me listën që ai ka dekretuar, zbulon se emri që është ende pezull është propozimi për Ambasadorin e ri të vendit tonë në Hungari.

Emri i propozuar nga Qeveria është ai i Qirjako Qirkos, një diplomat me karrierë të gjatë në shërbimin diplomatik shqiptar, që u lirua prej Begajt nga detyra e ambasadorit në Londër.

Në lidhje me mosdekretimin e tij si Ambasador në Hungari, Presidenca është treguar hermetike, duke mos dhënë asnjë koment mbi arsyet se pse Presidenti Begaj nuk e ka dekretuar atë.

Megjithatë, burime të Voxnews.al pohojnë se për ambasadorin Qirjako Qirko, Presidenca ka hasur problematikë në pastërtinë e figurës. Në lidhje me llojin e problematikës, burimet nuk japin më shumë detaje, nëse ‘njolla në biografinë’ e Ambasadorit është e re, apo shumëvjeçare.

 

Nëse do të jetë kjo e dyta, atëherë skandali thellohet edhe më tej dhe të gjitha institucionet që janë përfshirë në përzgjedhjen dhe emërimin e tij në trupën diplomatike dhe jo vetëm. Qirko është bërë pjesë e Ministrisë së Jashtme në vitin 1991. Nga janari i 1999 deri në maj të 2001 ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë.

Në maj të vitit 2001 u emërua ambasador i Shqipërisë në Holandë, më pas drejtoi seksionin e minoriteteve në Ministrinë e Jashtme dhe Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare, po në këtë ministri.

Në 2013-n u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme dhe në 2016-n Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, post që vijon ta mbajë edhe aktualisht. Ambasadori Qirjako Qirko liston në jetëshkrim postin e hetuesit në Prokurorinë e Tiranës, nga viti 1986 deri në vitin 1991.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video