
“Përdorimi i akteve normative për të ndryshuar buxhetin brenda vitit, përveç rrethanave emergjente, duhet të ndërpritet”. Ky ishte rekomandimi në formë urdhërese që dha Fondi Monetar Ndërkombëtar për Qeverinë shqiptare në raportin e vjeshtës së vitit 2021.
Në fund të atij viti, Qeveria pranoi ‘gabimin’ dhe stafi i FMN njoftoi se, ekzekutivi shqiptar ishte angazhuar të ndalojnë përdorimin e akteve normative për rishikimet e buxhetit në vitin 2022 dhe ka siguruar që çdo ndryshim do t’i nënshtrohet miratimit normal parlamentar.
Por, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë! Në 2022, qeveria ndryshoi plot katër herë buxhetin me aktet normative, përkundër rekomandimit të FMN-së dhe premtimit që i ishte bërë fondit na pala shqiptare.
Ndryshimet u argumentuan me emergjencën energjitike, që u shkaktua pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Megjithatë, nga katër ndërhyrje me akte normative që shmangën diskutimet parlamentare për ligjin themelor të financave, vetëm njëri prej tyre lidhej drejtpërdrejt me energjinë.
E njëjta praktikë vijon edhe përgjatë këtij viti. Ministri i ri i Financave, Ervin Mete njoftoi ndryshimin e buxhetit me akt normative, ku rrit planin e të ardhurave me 70 milionë euro, ndan 115 milionë euro për rindërtimin dhe rishpërndan në total gati 435 milionë euro, ose 8 për qind të shumës totale të buxhetit për këtë vit.
Vendimi i marrë përmes aktit normative shmang debatet në komisionet parlamentare dhe sipas vlerësimeve ndër vite të FMN-së ul kontrollin dhe transparencën e tyre, si dhe rrit mundësinë e adresimit të tyre në zëra që nuk konsiderohen prioritarë për ekonominë shqiptare.
Kundër ndryshimit të buxhetit me akte normative është shprehur edhe Këshilli Europian përmes progres-raporteve vjetore për Shqipërinë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.