
Kreu i SPAK, Altin Dumani në datën 28 Shtator në një takim me gazetarët, paralajmëroi zhvillime surprizuese në drejtim të ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj.
Ish-ministri, Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorëve, por kjo dosje nuk përbën telashin e tij të vetëm më drejtësinë.
Kjo e dielë ka nisur vrullshëm me informacione për Ahmetajn, i cili është marrë për herë të dytë si i pandehur nga SPAK, këtë herë për privatizimin e ish-fabrikës së bukës, në kohën kur ai ka qenë në krye të Ministrisë së Ekonomisë.
Dosja është hetuar nga prokurori Elvin Gogaj, i cili u ka komunikuar avokatëve akuzën e re për ish zv/kryeministrin tashmë në arrati.
Krahas Ahmetajt për këtë privatizim po hetohen edhe 12 persona te tjere me tyre ish sekretari Përgjithshëm i Ministrisë së drejtuar nga Ahmetaj dhe biznesmeni Lirim Fezollari.
Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit të cilët kanë marrë në pyetje Arben Ahmetajn kur ishte në Shqipëri, dhe të dyshuarit ndër veprimet e tjera kanë gjetur edhe komunikime të shpeshta të ish zv.kryeministrit me biznesmenin para privatizimit, madje ata kanë udhëtuar bashkë jashtë vendit.
Në praktikën e privatizimit të ndërmarrjes në të cilën edhe shteti ishte aksioner rezulton se është gjetur shkelje mbi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyronte shtetin të pranonte si çmim shitje atë të vlerës së tregut dhe jo vlerën e vitit 1994.
Ky është procedimi i dytë penal ndaj Ahemtaj, pasi në një tjetër procedim për aferën e inceneratorit tashmë ai është shpallur në kërkim dhe rezulton se është larguar nga Shqipëria. Dosja ka qenë më herët në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka vendosur moskompetencë për shkak të subjektit të kallëzuar penalisht të lidhur me veprën penale siç ishte ish zv.kryeministri dhe aktualisht deputeti Ahmetaj.
Ndërkohë për biznesmenin Fezollari, ish-sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, Drejtorin e Drejtorisë së Pronës Publike, Administratorin e 'Buka sha' dhe të tjerë zyrtarë të përfshirë, hetimi vazhdon është i hapur dhe po ndiqet nga SPAK. Ndaj personave ka nisur edhe hetimi pasuror, për të zbuluar nëse nga aktiviteti i paligjshëm i shpërdorimit të detyrë ka edhe pasuri të përfituara padrejtësisht.
Hetimet e SPAK, nisën në bazë të kallëzimit të trashëgimtarëve të ish-pronarit, familjes Myderizi, të cilët kanë fituar të drejtën e rikthimit të truallit, ku gjendej më parë furra elektrike e “Buka” sha, në zonën e “5 Majit” në Tiranë.
Ish-ministri Arben Ahmetaj vijon të jetë deputet, por prej 24 gushtit 2023 administrata e Kuvendit i ka ndërprerë page dhe shërbimet mbështetëse që vijnë për shkak të detyrës si pagesa për telefonin, automjetin, karburantin si dhe shpenzimet e banimit.
Ahmetaj u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe ende nuk behet me dije vendodhja e tij.
Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Hetimet e SPAK, nisën në bazë të kallëzimit të trashëgimtarëve të ish-pronarit, familjes Myderizi, të cilët kanë fituar të drejtën e rikthimit të truallit, ku gjendej më parë furra elektrike e “Buka” sha, në zonën e “5 Majit” në Tiranë.