
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave në lidhje me të ardhurat e siguruara nga bashkitë në periudhën janar-shtator të këtij viti sugjerojnë përmasat e shpopullimit masiv të vendit, sidomos në bashkitë e vogla.
Sipas raportit financiar 9-mujor, bashkitë kanë arkëtuar gati 3.5 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe mbi 10 milionë euro më pak se planifikimi fillestar, edhe pse ekonomia e vendit, sipas të dhënave zyrtare u rrit me mbi 3 për qind.
Shifrat tregojnë se uljen më të madhe në krahasim me 9-mujorin e vitit të kaluar e ka pësuar taksa e banesave, një taksë që bashkitë e përfitojnë nga qytetarët që janë rezidentë në shtëpitë e tyre, apo që jetojnë aktivisht në territorin e bashkive.
Rënia e kësaj takse është me 8 për qind në krahasim me një vit më parë, ose pak më shumë se 3.5 milionë euro. Të dhënat tregojnë se rënia e të ardhurave nga kjo taksë është regjistruar në të gjitha bashkitë e veriut të vendit, ku përmasat e shpopullimit janë më masive, në zonat e thella malore të jugut, por edhe në bashkitë e vogla të Shqipërisë së Mesme.
Ky tregues sugjeron se rënia e mbledhjes së kësaj takse mund të lidhet me dy faktorë. I pari është largimi i qytetarëve nga bashkitë e vogla dhe i dyti, që bashkitë mund të jenë treguar ‘bujare’ para zgjedhjeve të 14 majit, duke toleruar në mbledhjen e kësaj takse.
Në çdo rast, rënia e të ardhurave tregon se pa mbështetjen e qeverisë qendrore, Bashkitë e vogla të vendit janë të pafuqishme për të mbuluar shpenzimet e veta, për të mos folur më pas për të ndërmarrë investime madhore e strategjike për komunitetin.
Qeveria ka ndarë 650 milionë euro si mbështetje për bashkitë në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Gjysma e kësaj shume do të jepet në formën e granteve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.