
Të dalësh në pension në vendin tonë do të thotë të mos sigurosh dot as ilaçet për të mbajtur shëndetin që të ka mbetur nga vitet e punës. Skema e pensioneve është parë e riparë nga të gjitha qeveritë që pas viteve 1990, por ka rezultuar e dështuar duke krijuar hendek në buxhetin e shtetit dhe duke mos arritur të krijojë një lloj mirëqenia për të pensionuarin.
Pse vjen një problematikë e tillë?
Varianti i propozuar nga Banka Botërore, futja e sistemit me shumë shtylla, aplikuar në shumë vende evropiane të cilat kanë arritur të shmangin problemin e plakjes së popullsisë, duken të përshtatshme për shumë dekada të tjera në vendin tonë.
Së pari, skema shqiptare e pensioneve nuk konsiderohet e qëndrueshme për shkak të normës së kontributit për punonjësit, e cila nuk mjafton për të mbuluar nevojat për pagesa pensionesh.
Sipas studimeve të ekspertëve ekonomikë, qëndrueshmëria sociale dhe financiare e sistemit të pensioneve mbetet e pambrojtur. Ajo vuan nga një deficit i lartë që e bën atë financiarisht të ndaluar. Si rezultat, çdo qeveri që ka drejtuar vendin në këto kohë tranzicioni është vendosur në vështirësi dhe është detyruar të pranojë financimin e skemës nga buxheti i shtetit.
Së dyti, skema ofron përfitime më të ulëta për disa kategori. Mbështetja e pensionit nuk mjafton për të jetuar një jetë të plotësuar me kushte dhe dinjitet specifik. Shuma e pensionit për shumicën e përfituesve është nën nivelin e duhur për të përmbushur nevojat bazë të jetës.
Së treti, skema karakterizohet nga theksimi i elementeve të padrejtësisë sepse disa grupe përfitojnë kontribute shumë të larta dhe kontribuojnë më pak se të tjerët. Për më tepër, edhe pse të gjithë të moshuarit mbulohen nga skema falë punësimit të plotë në periudhën e komunizmit, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë pune sot nuk është e siguruar për shkak të papunësisë dhe informalitetit të lartë në të njëjtën kohë. Papunësia është një faktor që ndikon sistemin e pensioneve sepse një i papunë nuk arrin të mbulojë kontributet e tij.
Informaliteti është aspekt që cënon mirëfunksionimin e skemës së pensioneve, sepse dikush që punon në mënyrë të paligjshme, nuk krijon fonde të mjaftueshme kontributesh për të mbështetur vitet e pensionit. Kjo ka përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet kontribuesve dhe përfituesve, duke krijuar një tendencë negative për të ardhmen, ku shumë të moshuar nuk do të arrijnë të marrin pension.
Në këtë mënyrë, sistemi shqiptar i pensioneve nuk është më në gjendje të balancojë përshtatshmërinë e përfitimeve për të përballuar shpenzimet, aq më tepër kur kemi parasysh faktorin e plakjes së popullsisë.
Por çfarë parashikon qeveria aktuale?
Reforma e skemës së pensioneve është në rishikim me qëllim që të gjendjet një qasje, e cila të sheshojë diferencat e indeksimit vjetor të pensioneve. Lajmin e dha Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2024.
Mete tha se ndryshimet janë në fazën e konsultimit me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar dhe po marrin në konsiderate ndryshimet demografike dhe efektet që do krijojnë në ecurinë e numrit të kontribuuesve dhe përfituesve në vijim. Ministri tha se po punohet për një qasje që amortizon diferencat.
Konsultimet janë ndalur në dy pika:
-Së pari po punohet për një formulë që të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe se të atyre më të larta. Aktualisht indeksimi aplikohet në përqindje të inflacionit të pensionisteve. Këtë vit u aplikua 8.6 %, por e përkthyer në vlerë përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta. Psh një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionit paguhet me 30 mijë lekë në muaj përfitoi një shtesë 2,560 lekë ose tre herë më të lartë.
-E dyta ka të bëjë me ndërhyrjen në vendosjen e limiteve për përfitimet në skemat suplementare, pasi rritja e tyre me ritmet aktuale parashikohet të rëndojë më shumë skemën në afat të gjatë. Psh në të ardhmen dalja në pension e punonjësve të sistemit të drejtësie mund t’i kushtojë skemës publike të pensioneve.
Cilat janë sfidat e skemës aktuale?
Mosha e daljes në pension për femrat dhe meshkujt
Përsa i përket femrave, rritja e moshës ka filluar nga 1 janari 2015 dhe do të vazhdojë deri në 2056. Kjo rritje pritet të jetë 2 muaj çdo vit. Me rritjen graduale parashikohet që në vitin 2056, një femër do të dalë në pension në moshën 67 vjeç. Për meshkujt që aktualisht dalin në pension në moshën 65, mendohet një tjetër plan për rritjen graduale të moshës së daljes në pension të tyre.
Deri në vitin 2032, për meshkujt përfitimi I pensionit të moshës nuk do të ndryshojë asnjë muaj. Në vitin 2033, një mashkull do të fillojë duke dalur në pension në moshën 65 vjeç e 1 muaj.
Kjo skemë do të vazhdojë deri në vitin 2056, kur një burrë duhet të jetë 67 vjeç për të marrë pensionin e pensionit. Pra, në vitin 2056, mosha e daljes në pension do të barazohet si për meshkujt ashtu edhe për femrat.
Vitet e Kontributeve
Me skemën ekzistuese, 35 vite sigurime shoqërore nevojiten si kontribute për përfitimin e plotë të pensionit ndërsa periudha minimale për të siguruar pensionin është 15 vite.
Për të përfituar pensionin e plotë, një person përveç kriterit të plotësimit të moshës, duhet të ketë 35 vite punë me sigurime të paguara. Nëse vitet e punës nuk plotësohen, atëherë personat nuk plotësojnë pension të plotë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti në vit, pensionistët e rinj nuk arrijnë të përmbushin kriterin e viteve të punës.
Plakja e popullësisë dhe tkurrja e popullsisë në moshë pune
Numri i të moshuarve në Shqipëri pritet të rritet më shumë se dyfish, në 25% në 2050. Tetë vite më parë, në vitin 2014, një në tetë shqiptarë ishte mbi 65 vjeç, ndërsa në vitin 2050 pritet që dy në tetë shqiptarë do të jenë mbi këtë moshë.
Shqipëria, bashkë më disa vende të Europës Lindore është e ekspozuar nga fenomeni i plakjes së popullsisë që në vetvete sjell rënien e numrit të punonjësve dhe kontributeve në skemat e pensioneve, por edhe nga informaliteti i lartë i punës që gjithashtu përkeqëson deficitin.
Popullsia në moshë pune, e cila financon përfitimet për të moshuarit, po tkurret dita ditës. Shqipëria pritet të ketë një tkurrje të popullsisë në moshë pune prej 14% në periudhën 2010-2050.
Në vitin 2018 pensioni mesatar ishte sa 31 për qind e pagës mesatare bruto, ndërsa në 6 mujorin e parë 2023 ky raport arriti në 25%.
Përqindja e personave që nuk plotësojnë kriteret për pagesë të plotë po rritet me shpejtësi nga viti në vit. Në qershor 2023 pensionistët me pagesë të pjesshme përbënin 50% të totalit të pensioneve të pleqërisë nga 45% me 2021. Ndërsa pensionet e reja që u lidhen me 2023 ishin 11% më të ulëta se pensioni mesatar. Pensionet e pleqërisë janë 50 % me të ulëta se mesatarja rajonale.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.