Dieta pa gluten si trend ushqimor, nutricionistja paralajmëron: Nuk dobëson dhe mund të shkaktojë mangësi ushqyese

19 October 2026, 14:14Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dieta pa gluten si trend ushqimor, nutricionistja paralajmëron: Nuk

Dieta pa gluten është kthyer në një nga tendencat më të përhapura të të ushqyerit, por jo domosdoshmërisht edhe në një zgjedhje më të shëndetshme. Sipas fanpage.it, nutricionistja italiane Renata Bracale paralajmëron se personat që nuk vuajnë nga celiakia, nuk kanë alergji ndaj grurit apo ndjeshmëri të diagnostikuar ndaj glutenit, nuk kanë arsye ta eliminojnë atë nga dieta.

Sipas të dhënave të publikuara nga Gluten Free Insights, shitjet e produkteve pa gluten në rrjetet e mëdha tregtare në Itali janë rritur me 7.4% gjatë vitit të fundit, duke arritur në rreth 386.6 milionë euro. Këto produkte nuk blihen vetëm nga personat që kanë nevojë mjekësore t’i konsumojnë, por edhe nga njerëz që i konsiderojnë më të shëndetshme ose besojnë se ndihmojnë në rënien nga pesha.

Megjithatë, sipas Bracale-s, nuk ka prova shkencore që një dietë pa gluten përmirëson shëndetin apo ndihmon në dobësim te popullata e përgjithshme.

Çfarë është gluteni dhe kush duhet ta shmangë?
Gluteni është një grup proteinash që gjendet natyrshëm në grurë dhe drithëra të tjera, si elbi dhe thekra, si dhe në produktet e përftuara prej tyre. Ai i jep brumit elasticitetin që nevojitet për përgatitjen e bukës, makaronave dhe picave.

Ndryshe nga personat që zgjedhin të shmangin glutenin për arsye mirëqenieje, ata që vuajnë nga celiakia duhet ta eliminojnë plotësisht nga ushqimi. Celiakia është një sëmundje autoimune që shkakton dëmtime në zorrën e hollë pas konsumimit të glutenit, duke penguar përthithjen e duhur të vitaminave dhe mineraleve.

Për këta persona, dieta strikte pa gluten, e ndjekur gjatë gjithë jetës, është trajtimi i domosdoshëm.

Pse dieta pa gluten nuk është domosdoshmërisht më e shëndetshme?
Sipas nutricionistes, shmangia e glutenit pa një arsye mjekësore mund të sjellë edhe disa mangësi ushqyese. Personat që e eliminojnë atë rrezikojnë të marrin më pak fibra, hekur dhe kalcium, veçanërisht nëse nuk i zëvendësojnë siç duhet ushqimet që kanë hequr nga dieta.

Gjithashtu, disa produkte të paketuara pa gluten mund të përmbajnë më shumë yndyrna dhe sheqerna sesa alternativat e zakonshme. Ato mund të jenë edhe më të shtrenjta dhe të krijojnë më pak ndjesi ngopjeje.

Bracale thekson se drithërat integrale që përmbajnë gluten janë pjesë e rëndësishme e dietës mesdhetare, pasi ofrojnë fibra dhe ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit kardiometabolik.

Pa gluten nuk do të thotë pa karbohidrate
Një tjetër keqkuptim i përhapur është ideja se eliminimi i glutenit nënkupton edhe uljen e karbohidrateve, e për rrjedhojë humbjen e peshës.

“Pa gluten nuk do të thotë pa karbohidrate”, është thelbi i shpjegimit të nutricionistes. Orizi, misri dhe patatet, për shembull, janë burime karbohidratesh që nuk përmbajnë natyrshëm gluten.

Sipas saj, në vend që të eliminohen plotësisht karbohidratet, është më e rëndësishme të zgjidhen burime cilësore, si drithërat integrale, në porcione të përshtatshme dhe të shoqëruara me bishtajore, perime, vaj ulliri ekstra të virgjër dhe fruta të thata.

Mesazhi i nutricionistes është i qartë! Gluteni nuk është i dëmshëm për shumicën e njerëzve dhe nuk duhet trajtuar si një armik i shëndetit. Eliminimi i tij nga ushqyerja duhet të bëhet kur ekziston një arsye e përcaktuar mjekësore, jo thjesht për shkak të një tendence ushqimore.


Video