Rruga e Arbrit bllokohet me dëborën e parë, Balluku merr në mbrojtje kompaninë Gjoka

26 Nëntor 2023, 19:29Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shënim: Qeveria do të ndajë deri në fund të këtij viti 25 milionë euro për kompaninë Gjoka për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Në total, kostoja e kësaj rruge që s’po di të mbarojë ka tejkaluar tashmë 500 milionë eurot, pothuajse dyfish i kostos së parashikuar për ndërtimin dhe përfundimin e saj.

Pagesat për këtë rrugë nuk ndaluan as në vitet 2020 dhe 2021, kur vendi u zhyt në krizën e pandemisë. Në këto dy vite, Gjoka përfitoi nga buxheti i shtetit si pagesa të drejtpërdrejta 6 miliardë lekë, ose rreth 60 milionë euro me kursin aktual të këmbimit.

Në qershor të 2020-s, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se rruga do të përfundonte në pranverën e vitit 2021, megjithëse afati për përmbylljen e saj ishte në nëntor të po të njëjtit vit.

Afati u shty edhe dy herë të tjerë, fillimisht në pranverën e vitit 2022 dhe më pas në vjeshtën e të njëjtit vit. E njëjta gjë ndodhi edhe këtë vit, ndërsa si Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministrja Belinda Balluku morën në mbrojtje kompaninë duke fajësuar përbërjen e paqëndrueshme gjeologjike që gjoja po vonon punimet në Tunelin e Murrizit.

Për të shmangur këtë tunel, kompania ka ndërtuar një Bypass provizor, që në raste fluksi automjetesh bllokohet plotësisht. Por, papërgjegjshmëria e kompanisë Gjoka dhe institucioneve që kanë për kompetencë kontrollin e këtij koncesioni arriti kulmin këtë fundjavë.

Edhe pse u paralajmërua se vendi do të përfshihej nga reshje dëbore dhe ulje e ndjeshme e temperaturave, Gjoka nuk e vuri ujin në zjarr që të merrte masat dhe të hidhte kripë te Bypass-it i tunelit të Murrizit. Kjo çoi në bllokimin e qindra mjeteve, që në pamundësi për të vijuar më tutje u rikthyen sërish në Tiranë mbrëmjen e së shtunës. E njëjta gjë vijoi edhe të dielën dhe rruga mbetet sërish e bllokuar.

Bllokimi nuk është hera e parë që ndodh. E njëjta gjë ka ndodhur edhe dimrin e kaluar, si dhe në janar të vitit 2022. Në të gjitha rastet, kompania është justifikuar me motin e keq, ndërsa Ministrja Balluku e ka marrë në mbrojtje, madje duke i firmosur edhe shtesën prej 20 milionë eurosh në kontratën fillestare.

Megjithatë, më shumë se paqëndrueshmëria gjeologjike e tokës në Tunelin e Murrizit, Rruga e Arbrit tregon qëndrueshmërinë e palëkundur të ministres Balluku për të mbrojtur deri në fund koncesionin që ka ngritur dyshime të forta korrupsioni.

Pse? Sepse në vend që t’i kërkojë llogari kompanisë që ka shkelur me dy herë afatet për përfundimin e rrugës se përse nuk mori masat për të mbajtur të hapur Bypass-in në një kohë që përkeqësimi i motit ishte paralajmëruar, ministrja Balluku del live në rrjetet e veta sociale dhe u bën thirrje qytetarëve që të mos dalin nga shtëpitë prej stuhisë së madhe të dëborës.

Pamjet nga terreni tregojnë ndërkohë që trashësia e dëborës në këtë zonë nuk ishte më shumë se 10-20 centimetra, që tregon se reshjet vetëm stuhi që nuk mund të quheshin. Por, pas fjalës stuhi, qëllimi i zv.Kryeministres ka qenë shfajësimi i kompanisë Gjoka nga çdo përgjegjësi që ka për këtë rrugë.

Prandaj, në vend që të dalë të bëjë sinoptikanen dhe të përvetësojë kompetencat e emergjencave civile, duke këshilluar qytetarët që të mos dilnin nga shtëpitë, më mirë do të ishte që si ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku të ushtrojë kompetencat dhe detyrën e vet, duke vënë para përgjegjësisë kompaninë Gjoka, jo vetëm për bllokimin e rrugës që me dëborën e parë, por edhe për shpenzimin e miliona eurove që ka përfituar drejtpërdrejt nga xhepat e qytetarëve shqiptarë për ndërtimin e kësaj rruge.

©Copyright VoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video