RRËFIMI / “Ilegalët”, Lulin e kap nostalgjia për bandën e dikurshme

2022-03-17 19:04:44Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Ilegalët" e opozitës

TIRANË / AMSTERDAM - Ishte duke parë filmin e njohur policesko-partizan “Ilegalët”, i frymëzuar nga titulli dhe duke besuar se mund të kopjonte disa skema të vlefshme për daljen në ilegalitet pas largimit nga Partia Demokratike. Por sapo filmi mbaroi, Lulzim Bashën e kapi një valë e fortë nostalgjie për bandën e vjetër, me të cilën organizonte mbledhje pas mbledhjesh në selinë e PD-së, porosiste një hale me pica dhe, pasi vendosnin për protestën e rradhës dhe rrëzimin përfundimtar të Edi Ramës, dilnin në grup nga zyrat duke treguar barcaleta, taksa fotografët bënin seri të pafundme shkrepjesh.

“Ehh, çfarë kohërash,” psherëtiu kryetari provizor i PD-së, “atëherë flokët i lyeja me këna patëllxhani, ndërsa tani me blue black. Nard Ndoka na kënaqte me batuta karrocierësh, ndërsa Fat Mediu ishte fiks si inxhinier Tosti, po fiks po them”.

Dhe nisi të krahasojë skenarin e filmit me realitetin, sesi Fatmiri kishte studiuar vërtet për inxhiner nafte, po i bëri naftën zanatit dhe nuk ka spiunllëk pa bërë. “Ec e thuaj se i ka dalë keq pastaj!”

I përlotur dhe njëherësh i habitur me veten, sesi kishte kaluar kaq kohë si pa e kuptuar, Lulit iu kujtuan drekat e darkat me çunat, mashtrimet që i kishte bërë secilit, buzëqeshjet reciproke fallso, komplimentet boshe, vezët shqeto që kapërdinte cdo mëngjes për të luftuar ngjirjen e zërit, lojrat që i bënin Dash Shehit duke i marrë fshehtaz faqoren e rakisë nga xhepi i brendshëm i xhaketës, rromuzet që i hidhnin Gon Dukës duke i thënë, “ja, erdhi dhe Klani i Zemunit”, dhe Duka që ja kthente “Pirdh o Luli, pirdh”…   Ehh cfarë kohërash.

Duke u ftilluar paksa, Luli u kthye tek skenari i filmit dhe nisi të mendojë se cili lloj ilegaliteti i përshtatej më shumë:

A të shtirej ai sikur ishte arrestuar në demonstratë dhe të infiltrohej në grupin e Berishës? A të maskohej si inxhinier italian, por në fakt të ishte spiun i regjur i SIM-it, si zoti Tosti? Apo të vishej si vajza fshatare, me një kostum të bukur popullor që do detyronte zonjën Liri, të shoqen e Doktorit, të ndalte makinën në rrugë dhe ta ftonte atë në shtëpi?     

Asnjë nga skemat nuk e bindi. Mallkoi veten që nuk i kishte hyrë politikës pak më shpejt, sepse do kishte patur rastin të bërtiste me të madhe: Shokë, spiunin e vrau Milua! Po profesor Milo kishte vite që i ishte rikthyer zanatit të parë…

Dhe në këtë moment, Lulin e zuri frika: Po sikur të detyrohej t’i rikthehej zanatit të parë? Çfarë do të bënte? Do bënte përkthyesin / hetuesin e UÇK-së në UNMIK? Do bënte djaloshin bukurosh në rrugët e Holandës? Apo më mirë, kamarierin në Rinas… në fakt, mendoi Luli, tani ka disa aeroporte, dhe mund të ketë ndonjë vend edhe si kamarier në aeroportin e Kukësit, apo Kuçovës.

Po ligështimi nuk i zgjati shumë. Iu kujtua fjalimi final i kryeilegalit, ose ilegal-bashit Stavri Shkurti, (sa bukur, tha me vete, illegal-basha!) që u kërkoi shokëve të shtrëngojnë rradhët, se armiku është i egër dhe dinak. Ashtu do bëj, tha me vete, do mbledh kryesinë dhe do bëj thirrje për unitet...

Por atë çast, një tufë mesazhesh dhe uacapesh gati i shpërthyen celularin. Mundi të dallojë portretin e hijshëm të Gridës dhe turirin prej ligaveci të Salianjit, që i shkruanin: “Ik sa më parë, se pive gjakun, e shkatërrove partinë, spiun i poshtër…”

“E kuptova”, psherëtiu Luli i dorëzuar, “edhe këta e paskan gëlltitur lugën e çorbës së prishur, si unë dikur…”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike, Luli po ashtu

 

Video