PETICIONI / Komiteti Teknik i Pushtave: Të lejohet heqja e sutjenave në ambiente të mbyllura

2022-02-21 14:36:42Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

TIRANË – Duke parë ngurrimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të lehtësuar masat anti-pandemi dhe për të lejuar heqjen e maskave në mjedise të mbyllura, pavarësisht rënies së vazhdueshme të shifrave të infektimit nga Covid-19, në Tiranë është mbledhur një grup nismëtar i shoqërisë jo-civile, të gjithë meshkuj të pamartuar dhe me përvoja të pakta e deri në inekzistente marrëdhëniesh me gjininë femërore.

Siç mëson Patronazhisti, iniciatorët kanë krijuar një organizëm të quajtur në mënyrë informale, Komiteti Teknik i Pushtave, që si kërkesë të parë të rendit të ditës, ka formuluar një peticion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe të gjitha institucioneve të interesuara. Peticioni bën thirrje që pasi periudha më e rrezikshme ka kaluar, shteti duhet të lejojë, bashkë me heqjen e maskave të fytyrës, edhe heqjen e sutjenave në mjediset e mbyllura.

“Kanë kaluar dy vjet me masa drakoniane që kanë denatyruar njeriun, kanë ftohur marrëdhëniet njerëzore dhe kanë stimuluar frikën dhe mbylljen në vetvete,” deklaroi për mediat një nga nismëtarët e ngritjes së Komitetit Teknik të Pushtave – një kundërpërgjigje ndaj Komitetit Teknik të Ekspertëve -, sutjenologu i njohur Spartak Cica.

Sipas Cicës, shqiptari i sotëm është shndërruar në robot dhe në thelb, qarkullimi me maska, shalle dhe shpeshherë edhe kapele, e kanë bërë qytetarin një krijesë anonime dhe të pashpirt, akoma dhe në marrëdhënie me komshijet, koleget e punës dhe miqtë e dikurshëm.

“Pandemia po tërhiqet, jeta normale duhet të rikthehet,” theksoi Spartak Cica, “prandaj tani e tutje duhet lejuar heqja e sutjenave në mjedise të mbyllura, si lokale, supermerkato, teatro e kinema”.

“Kemi harruar të marrim frymë, të mbushim gjoksin me ajër,” tha Cica. Sipas aktivistit të shoqërisë jocivile, kjo nismë do të kontribuojë dhe në pasjen e një sezoni të suksesshëm turistik këtë vit.

“Nuk mund të kemi turizëm me vizitore e turiste daneze, polake, gjermane e skandinave që rrinë në rradhë nëpër aeroporte dhe pika kufitare, me sutjena mbërthyer deri në grykë dhe me policë që kërkojnë orë e çast certifikata e kupona tatimorë se ku janë blerë sutjenat, a e keni në bagazhe palën e dytë dhe të tretë të sutjenave etj etj,” tha Cica, “kështu nuk të vjen më turistja”.

Nisma për këtë peticion historik që çimenton nivelin e përparuar të të drejtave të njeriut në Shqipëri, është pritur me interes nga shoqëria, mëson Patronazhisti. Heqjen e sutjenave në mjedise të mbyllura e kanë përkrahur edhe pushta të paangazhuar në shoqërinë jocivile, palaço pa parti etj.

Madje burime për Patronazhistin thonë se edhe një prej ministrave të qeverisë, që e ka aplikuar në vijimësi të drejtën e ligjshme për një mjedis pune pa sutjena në dikasterin rindërtues që drejton, ka dhënë sinjale mbështetjeje për këtë akt emancipues.

Vini Re: Kjo rubrikë është humoristike. Emrat dhe ngjarjet e përshkruara ndonjëherë janë edhe të sajuara…     

Video