
TIRANË – Një dukuri që të gjithë e kemi hasur, e lexojmë në shtyp përditë, por siç ndodh rëndom në kësi rastesh, është kaq flagrante saqë askujt nuk i bën përshtypje.
Megjithatë Patronazhisti ka mësuar se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion në bashkëpunim me Ministrinë e Shanseve të Barabarta dhe Departamentin e Administratës Private, DAP, ka vendosur të lëvizë më në fund, kundër shfaqjeve të shëmtuara të nepotizmit në rradhët e krimit të organizuar dhe bandave kriminale në vend.
Shqiptarët prej shumë vitesh tashmë e kanë pranuar si fakt të kryer që familjet kriminale të kenë në bërthamën e tyre qëndrore një grup vëllezërish, ndoshta kushërinjsh, mbase edhe babë e bir, e ndonjëherë edhe kunetër apo baxhanakë. Kështu ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Shkodër, Elbasan, Durrës, Vlorë e gjetiu.
Familje si Dajrët, Çarjat, Bulilët, Berishët (ata të Durrësit, por edhe Tiranës) janë vetëm maja e ajsbergut të nepotizmit të sëmurë dhe karrierës së pamerituar në rradhët e krimit të organizuar dhe atij që tenton të organizohet. Vëllezër, kushërinj e të afërm që ngjisin shkallët e suksesit vetëm e vetëm se janë farefis me kreun. Rezultati? Të aftët bëjnë punën, të paaftët shijojnë frytet.
Por duket se vaji i kandilit të tolerimit të kësaj dukurie i ka mbërritur fundi. Sipas një njoftimi të SPAK, kjo strukturë e posaçme do të fokusohet me të gjitha forcat këtej e tutje, në luftën kundër nepotizmit, favorizimit të pamerituar dhe familjaritetit të sëmurë në rradhët e krimit të organizuar.
“Është fjala për një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë dhe të shtetit. Duhet t’i kishim vënë gishtin kokës shumë më herët. Çuditërisht, strukturat shtetërore, - por edhe opinioni publik dhe shoqëria civile, duhet thënë – janë përqëndruar prej vitesh në administratën publike, duke qëmtuar punësime familjarësh, favorizime miqsh etj, dhe duke harruar sektorin kaq të rëndësishëm privat. Nuk do tolerojmë më, këtej e tutje nuk do punojë larua e të hajë balua,” thotë njoftimi i SPAK.
Disa nga rezultatet e para të kësaj lufte të re, janë duke u parë ndërkohë. SPAK ka proceduar penalisht vëllezër të paaftë, apo kushërinj të trashë të kapove të krimit, baxhanakë të papërgjegjshëm apo kunetër mediokër, çka tregon qartaz se ata nuk e kishin merituar postin.
Por ky është vetëm fillimi. Sepse sipas deklaratës për shtyp të SPAK: “Nuk keni parë gjë akoma!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike meritokratike