PARALAJMERIMI / SHBA: Ukraina pushtohet të mërkurën. Putin: S’jemi gati, na jepni dhe dy ditë kohë…

2022-02-12 22:19:58Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Biden-Putin duke telefonuar njëri-tjetrin

UASHINGTON - Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajden deklaroi këtë shtunë se Rusia do të nisë pushtimin e Ukrainës të mërkurën e ardhshme. Për këtë arsye, ai u kërkoi të gjithë qytetarëve amerikanë që mund të ndodhen në këtë vend, të largohen para kësaj dite për arsye sigurie.

Shtëpia e Bardhë bëri me dije se në një telefonatë me presidentin e Rusisë, dmth Ladin, Bajden bëri të qartë se rruga diplomatike mbetet e hapur, por Rusia do ta paguajë shtrenjtë nëse zgjedh luftën.

Por sic mëson Patronazhisti, Lad Putini i kërkoi ndjesë Bajdenit se nuk ishte gati për të mërkurën.

“Zoti President, ju amerikanët me arrogancën tuaj po na vini në siklet. Ne nuk jemi gati për pushtim të mërkurën,” tha i sëkëlldisur Ladi, “të na falni se mbase dalim jashtë parashikimit, por duam edhe dy ditë kohë. Me kaq forca sa kemi mbledhur, nuk pushtojmë dot as gjysmën”.

 Por burimet e Patronazhistit bëjnë të ditur se Presidenti i SHBA nuk është bindur që Moska ende nuk është gati. Për këtë arsye, Bajden paralajmëroi Rusinë që nëse ajo sulmon Ukrainën, atëherë ushtria amerikane do të pushtojë një vend me të njëjtën sipërfaqe, pak a shumë të njëjtën popullsi dhe me GDP të përafërt.

“Rusia ta harrojë se SHBA do të rrijë duarkryq. Ne do të veprojmë me vendosmëri dhe efikasitet, sy për sy dhe dhëmb për dhëmb”, thanë burime nga Shtëpia e Bardhë, që kanë saktësuar në anonimitet se ndërkaq janë piketuar disa vende të ngjashme me Ukrainën që kanë ose armë bërthamore, ose naftë, ose gaz, ose të tria bashkë.

“Agresioni rus nuk do mbetet pa përgjigje,” vijuan burimet, “edhe nëse nuk arrihet dot pushtimi i një vendi të ngjashëm me Ukrainën, ne do të sulmojmë dy ose tre vende më të vogla, totali i GDP-ve të të cilave barazohet me atë të Ukrainës. Perëndimi do t’i thotë Stop bullizmit shtetëror të Kremlinit”.  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë humoristike aleate e NATO-s, ndaj këto rreshta më lart janë me gjasme… 

Video