ULTIMATUMI / Berisha kërcënon Rusinë se do t’i dërgojë çunat e Mamurrasit

2022-02-06 16:51:21Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha

TIRANË - Ish kryetari i PD, ish kryeministër dhe ish president, aktualisht deputeti i pavarur Sali Berisha, i ka bërë dje Rusisë dhe liderit të saj Vladimir Putin kërcënimin më të madh që i është bërë vendit më të madh në botë nga një deputet demokrat i NATO-s deri më sot.

Në një deklaratë publike që ka dalë nga shtëpia e Lirisë, bashkëshortes së tij, Berisha ka paralajmëruar Putinin se nëse hedh edhe një hap më tej kundër Ukrainës, ai do të marrë masa për të dislokuar çunat e Mamurrasit në kufirin rus.

“I baj thirrje presidentit rus: Vladimir, Ladi, un t’garantoj tye dhe zagarët e tu se do ta bëj fytyrën ma të zez se kpuca, po u preke edhe nje fije floku demokratëve t Ukrains. Le ta dish ti, se vetëm çunat e Mamurrasit më mjaftojn mue me t’ba që të duket vrima e miut pesqind grosh. Largoji pra, larot e tu se mu m’thon Sali Berisha!”

Në vijim, deklarata jep disa detaje sesi mamurrcakët, të përforcuar me trupa speciale kamzalinjsh, lazaratasish dhe kuksianësh, ishin gati t’u merrnin krahët ushtrisë ruse, ndërkohë operacionet diversive kanë nisur shumë kohë më parë.

Edhe pse deputeti i pavarur nuk zbulon gjithë planin operacional, Patronazhisti ka mësuar se në fakt, shumë mamurrcakë, hasjanë e kuksianë kanë hapur lavazhe në kufirin ruso-ukrainas, ndërsa paralelisht hedhin në youtube videoklipe repistësh dhe xhirojnë gomat e makinave të shtrenjta me timon tropojan, në sytë e ushtarëve të trembur rusë.

Për të asistuar Berishën në këtë përpjekje, disa demokratë veteranë kanë ofruar këshillat e tyre në mposhtjen e Ladit. Kështu, ish nënkryetarja e PD Topallina Jozefi ka hapur kurse të përshpejtuara për të kapur për zhelesh trupat ruse, ndërsa ish-kryetarë degësh të PD-së në Kurbin, Pukë, Mat kanë propozuar hedhjen në erë të shtyllave të tensionit të lartë në Moskë, Leningrad dhe Stalingrad.

Një lajm i fundit ka ardhur në redaksinë e Patronazhistit, sipas të cilit kreu i një institucioni shumë të rëndësishëm, i ka ofruar Berishës pajisjen e trupave mamurrcake me komplete moderne cfurqesh, kosoresh dhe sopatash. Emri nuk bëhet i ditur.

P.S. Të pyetur për ultimatumin e Berishës ndaj Ladit të Rusisë, çunat e Mamurrasit, dega Londër, deklaruan se nuk dinin gjë prej gjëje.   

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë humori. Por me Doktorin gjithçka ndodh.

Video