SHEMBULLI PERSONAL / Ministrja Ballukja: Unë kam ecur që e vogël!

2022-03-10 13:47:50Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Radha per vajguri

TIRANE / PESHKOPI / DUBAI – Ministrja e Infrastrukturës, Tuneleve, Loteve 1 dhe 2, Korrentit, Naftës dhe Vajgurit, Bella Ballukja bëri një zbulim të pazakontë ditën e djeshme, si e ftuar speciale në emisionin shoqbiz të kanalit të dytë të Emirateve të Bashkuara, “Fol me Mutasimin”.

E ndodhur në Dubai për panairin e famshëm botëror të ministrave më në formë, zonja Ballukja ishte e personazhi qëndror i emisionit kaq të ndjekur të moderatorit të njohur të Gjirit Persik, Mutasim el Zevzek al Mistreci.

Pyetja e parë e Mutasimit në mënyrë të pashmangshme, ishte “Cili është sekreti i formës suaj, Balluke Hanëm?”  

Ministrja shpjegoi modestisht se që kur ka marrë detyrën e lartë, ajo gjithmonë shkon më këmbë për të blerë bukën. “Nuk të bën keq të ecësh pak,” sqaroi Ballukja, “dhe unë nuk mjaftohem vetëm me bukën, sepse kjo shprehje është thjesht simbolike”.

Ministrja e elaboroi më tej sekretin e saj, duke sqaruar se ajo ecën më këmbë edhe kur shkon për të blerë turta dhe gurabije, karkalecat e zgarës, verën Chateau Lafitte, sushin, kecin e furrës, shnicelin e drerit të egër të Karpateve, eskallopin e viçit japonez etj etj.

“Rëndësi ka të ecësh,” tha ministrja, “unë madje eci edhe kur zbres nga vila ime në Dhërmi drejt detit, apo kur shkoj nga vila e parë në vilën e dytë. Edhe kur hyj në kryeministri për të takuar heroin tonë kombëtar, që më thërret me përkëdheli shtrigë, unë eci deri tek zyra e tij.”

“Mbaj mend, tani vonë kam ecur goxha edhe në Peshkopi. Kishim mbetur pa bukë dhe bashkë me shokun tim Hulusiun, që nuk e di pse i thërrasin Ulsi, u detyruam të dalim natën në mes të dëborës. Marrim makinën, tha Ulsiu. Jo Ulsi, i thashë, do ecim edhe ne si populli i thjeshtë,” vazhdoi rrëfimin emocionant Ballukja.

SHEMBULLI PERSONAL / Ministrja Ballukja: Unë kam ecur që e vogël!
Ministrja Ballukja rrugëve të Peshkopisë

Mutasimi, i prekur nga fuqia e jashtëzakonshme narrative e Ministres, kërkoi me delikatesë detaje më të vjetra nga jeta e Bellës.

“Po, është e vërtetë se njerëzit thonë që unë kam ecur shumë në jetë. Madje kam filluar të eci që kur u ngrita në këmbë,” reflektoi ministrja, “edhe kur punoja tek AMC-ja, ecja pa fund. Aq shumë, sa në fund kompania falimentoi apo u shit, s’e mbaj mend mirë. Se s’më ndiqnin dot. Edhe tek Albkontrolli po ashtu, ecja ime si flutur binte aq shumë në sy, saqë njerëzit thoshin se fluturoja”.

Në vijim, Ballukja solli në kujtesë detaje nga adoleshenca, kur ecja ishte e detyrueshme.

“Atëherë nuk bëhej fjalë për naftë, si këtu tek ju. Ne të shkretët edhe kur shponim puse, na dilte vajguri, se ishim fukarenj. Ke qenë ndonjëherë në radhën e vajgurit, ti Mutasim? Unë kam qenë pra, ja dhe një foto e vjetër e asaj kohe! Ndërsa tani shqiptarët hedhin vickla!”      

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike Persike

Video