KARBURANTET / Karpaço Oil: Nafta është si vera, sa më gjatë në depozita, aq më e shtrenjtë

2022-03-06 22:43:10Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Monocikli

TIRANË – Krizat e mëdha fshehin dhe mundësi të mëdha. Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë anëtarësim të shpejtë në BE duke i bërë thirrje Brukselit të nxjerrë mësime nga agresioni rus ndaj Ukrainës, Shqipëria po hedh hapa shtesë në drejtim të përafrimit të stardardeve të jetesës me vendet perëndimore.

Kështu, Patronazhisti mëson se qeveria shqiptare po përgatit një deklaratë për shtyp ku njofton se vendi ynë ka njehsuar ndërkaq çmimin e karburanteve me vendet më të shtrenjta të BE-së.

“Me naftën në nivelin e 230-240 lekëve për litër, shqiptarët nuk po shijojnë thjesht një nivel të ngjashëm çmimesh me Luksemburgun, Holandën etj, por po konkurrojnë denjësisht me rajone ekzotike si Monako e Lihtenshtejn. I kemi të gjitha mundësitë që të kapim edhe 250-300 lekë për litër së shpejti,” thotë njoftimi qeveritar, një draft të të cilit e ka lexuar dhe Patronazhisti.

Burime nga kabineti i kryeministrit Edvin Pikaso sqarojnë se ky sukses nuk do të ishte i mundur pa kontributin e lojtarëve të mëdhenj të tregut të karburanteve si Kastro Çaprazi dhe kompania e tij Karpaço Oil.

Në një prononcim për mediat, zoti Çaprazi pranoi se ishte disi i vonuar në vendimin e tij për të rritur çmimet e benzinës, naftës, gazit.

“Duhet ta kishim bo ma shpejt plako. Kishim ngel për vitë t tana me naftën 150-160 lekë për litër si me qenë pabuksa. Jena msu keq plako. Duam me shku në Evrop, kur fare mir Evropën mund ta ndërtojm ktu plako. Unë në fakt kam dash me e ndërtu qyshkur, po nuk më jepshin lejen e ndërtimit qelpsinat e qeveris’ kalume. Po desh zoti, erdhi zoti Pikaso në pushtet dhe tash i nxjerrim lejet edhe për projekte që hala s’i kena menu, plako”.

Nga ana tjetër, Kastro Çaprazi përgënjeshtroi zërat e veçuar dhe krejt të pabazë se rritja e çmimit të karburanteve është abuzive, pasi rezervat aktuale janë blerë me çmimin e vjetër. I tmerruar nga mungesa e njohurive të disa injorantëve në fushën e ruajtjes së produkteve të konsumit, Çaprazi sqaroi:

“Sun e kuptoj logjikën e disave. Duket se janë katunarë komplet. Po a e dini zotnij, se sa më gjatë ta ruash produktin para se me e nxjerr në treg, aq ma shtrejt ban?”

Dhe Çaprazi e ilustroi tezën e tij me verën, uiskin e vjetëruar, djathrat e fermentuar për vite të tëra në bodrume të errëta e të thata, proshutat ekselente të Toskanës dhe Barcelonës që kushtojnë sa qimet e kokës.

“A e dini se nafta e vjetëruar gjashtëmujore, kjo që po shesim tash, vlen 4 mijë lekë litri me shumicë? Po ju jeni mosmirënjohës, derra!”

Rritjen e çmimeve të karburanteve e mbështeti edhe beledije reizi i Tiranës, Veli Pashë Erjonllari.

“T’ju them të drejtën, unë mezi pres që karburantet të rriten edhe më tepër. Do qarkullojnë gjithnjë e më pak makina. Më shumë biçikleta, monopatina me bateri dhe skejtborde. Madje pardje disa punonjës të stafit të tim te marrëdhënieve me publikun, erdhën në punë me biçikleta mono-rrotë, si ato të cirkut. E ku ka më bukur se kaq, në Tiranën kryeqytet i rinisë?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike ekologjike    

Video