E PAPRITUR / Kreut të Autoritetit të Konkurrencës Denaro Bibja i vjen prapë për të qeshur

2022-03-13 14:06:52Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kreu i Autoritetit shqiptar të Konkurrencës, Denaro Bibja

TIRANË – Kreu i Autoritetit shqiptar të Konkurrencës, Denaro Bibja, është thjesht i pakonkurrueshëm. Kështu e përshkruan një profil i botuar në revistën prestigjioze Denaro Times, ajkën e jurisprudencës shqiptare Bibja, teksa shton se në çdo detyrë të paanshme, institucionale të pavarur dhe të papolitizuar që e kanë caktuar, ai ka shkëlqyer me modestinë, prerjen e rreptë profesionale dhe konceptin e qartë ligjor që ka aplikuar.

Por nuk është thjesht një shkrim, pavarësisht se në cilën media me rrezatim global është botuar. Për Denaro Bibjen flasin faktet, flet edhe vetë ai. Madje edhe kur nuk flet, Denaro Bibja qesh ose i vjen për të qeshur. Ai qesh modestisht me fukarallekun mendor dhe empirizmin rural të atyre që e kritikojnë.

“Më vjen për të qeshur,” theksoi Denaro ditët e fundit, “me ata derdimenë që kujtojnë se Autoriteti i Konkurrencës është institucioni që mbikqyr nëse janë respektuar rregullat e konkurrencës në treg, dhe që gjobit ata që i kanë shkelur. Ku jemi këtu, në diktaturë?”

Rritja flagrante e çmimeve të mallrave të shportës ditët e fundit, e sidomos i karburanteve, nga maja e jurisprudencës është komentuar si një veprim në të cilin Autoriteti i Konkurrencës nuk ka fare dorë.

“Është për të qeshur që disa protestues të painformuar, të cilët nuk janë në krye të Autoritetit të Konkurrencë si unë, dalin e protestojnë. Disa më shajnë edhe mua. Por po ju them: A jam unë tregtar? A shes unë ndonjë mall? A jamë unë ai që i rrit çmimet? Jo!!! Po atëherë pse më bini në qafë, o njerëz të palexuar?”

Në historikun e freskët të punës së zotit Bibja në krye të Konkurrencës, është ende e pashlyer nga kujtesa e profanëve injorantë, përgjigja e tij para një viti, kur institucioni vërtetoi në mënyrë të katërciptë se tregtarët e miellit dhe grurit kishin orkestruar një rritje në unison të çmimeve.

“Nuk mund t’i gjobisim,” theksoi Denaro, “sepse na rezultoi që nëse do ta bënim këtë, atëherë ata do të paguanin”.    

Denaro Bibja ka qenë disa herë në prag të të qeshurit, ka tentuar të qeshë ose edhe ka qeshur, edhe në institucione të tjera që ka drejtuar. I larguar dy herë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve pasi nuk ka qeshur siç duhet, në 2017-ën dhe 2020-ën, Denaro ka deklaruar asokohe se e kanë bërë kokë turku.

“Më vjen për të qeshur,” protestoi Bibja herën e dytë, “se a mund të bëhem unë kokë turku? Unë që nga emri dallohet qartë se jam siçilian. E dini ju ç’domethënë Denaro; domethënë para. Po të quhesha Ertogrul, Demir apo Karaxha, hajde de!”

Orët e fundit, Patronazhisit mëson se me urdhër të Sulltanit të madh, Autoriteti i Konkurrencës do marrë masa që të ndëshkojë tregtarët që rrisin njëherësh çmimet.

“Mua më vjen të qesh prapë,” deklaroi Denaro Bibja, “me ata tregtarë që mendojnë se do ja hedhin nëse merren vesh bashkë të rrisin çmimet në sinkron”, dhe shtoi: “Padyshim, nëse dikush rrit cmimin e naftës sot, dhe tjetri e rrit nesër në mëngjes, atëherë gjithçka është ligjore dhe korrekte”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike, por nuk i vjen dhe aq shpesh për të qeshur sa Denaros. 

Video