EKONOMI / Ministrja Delinaj mahnitet nga mallrat e shportës, çuditet pse protestojnë këta derra!

2022-03-20 19:27:27Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ushqimet e shportës

TIRANË – E vendosur për ta investiguar personalisht arsyen pse prej gati 10 ditësh rresht shqiptarët protestojnë për mallrat e shportës, Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Ibrahina Delinaj u kërkoi dje vartësve që t’i sillnin urgjentisht një shportë me mallra.

Siç bëjnë të ditur burimet për Patronazhistin, shporta ishte goxha voluminoze dhe u deshën dy vetë për ta sjellë deri në zyrën e ministres.

Pasi hoqi letrën e varakut, lulet e shtrenjta, dhe kartën me mbishkrimin “Ministres më të aftë në botë”, Delinaj konstatoi me një sy të ftohtë dhe vëzhgues, se shporta në fjalë përmbante tre shishe verë franceze, dy kavanoza havjar të zi, pako me proshuta të Parmës, mostra djathrash të fermentuar që kushtojnë 150 euro kilja, konfeksione simpatike fërgesash me mëlçi pate të Provansës, salmon të tymosur të Norvegjisë së Veriut dhe mjaft vogëlsira të tjera të kuzhinës së përditshme të shqiptarit mesatar.

Pa e humbur asnjë çast vigjilencën, Delinaj i provoi të gjitha nga pak, dhe disi mendueshëm tha, “nuk e di pse ankohen njerëzia, mallrat e shportës nuk qenkan dhe aq të këqija”.

Por e kuptoi që opinioni i saj mund të ishte i njëanshëm, ndaj ftoi dhe shoqet ministresha, Lela Kumbaranë, Bella Balluken, Hallva Margarinën, si dhe Episa Spirodhallën.

“Dëgjoni moj grani,” u tha, “ju thirra se dua ndihmën tuaj. Unë mund të jem nxituar në konkluzione, ndaj ju ftoj ftoj të provoni këto mallra shporte dhe të më thoni a ka diçka që nuk shkon? Si ka mundësi që vazhdojnë të protestojnë disa derra që na e telendisën Edin tonë, na e bënë telef, e lodhën, e plakën t’u punu për kët popull?”

Zyrtaret e larta iu vunë punës pa bërë zë, iu futën mallrave të shportës deri në fund, dhe pastaj filluan të japin opinionet e tyre.

 “Ky havjari më kujton atë që provova javën e kaluar në Dubai,” tha Ballukja, “s’është i keq”.

“Unë në fillim nuk e haja fare salmonin,” tha Margarina, “se më dukej sikur në fakt e quanin Selman, por tironsit ja shtrembëronin emrin në Salmon siç bëjnë me damoten dhe fastonin. Por shof që qenka në cilësinë që meritojnë shqiptarët”.

“Vera më duket e denjë për buxhetorët tanë trima”, tha ministrja Kumbaraja, “megjithëse unë jam mësuar me reçel fiku dhe raki Përmeti”.

Në fund foli ministrja Spirodhalla: “Ibrahina, e dashur, të paskan munduar këta derra. Po e di unë ç’duan këta: T’ua lësh mallin pa zhdoganuar për muaj të tërë dhe të mos ua lëshosh pa 5 milionë euro. Pastaj të shohim a protestojnë. Po s’kanë faj protestuesit, faj ka Skënderbeu që është kaq i mirë, kaq i dashur, kaq i ëmbël…”, dhe u këput në dënesa.

Shoqet u përpoqën ta qetësojnë. Bënë nga një kafe turke, panë filxhanët, pastaj ministrja Delinaj konkludoi: Atëherë, jemi dakord, mallrat e shportës janë në cilësinë e duhur, okej?

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që sa herë shkruan, vendos një karficë 400 euroshe në jakën e xhaketës  

Video