Entela Resuli
Në kronikat e lajmeve, gjatë periudhës së verës, raportohen më shpesh lajme mbi vetëvrasje apo tentativa vetëvrasjesh! Kjo nuk ndodh rastësisht në një vit të caktuar, por ky problem shfaqet periodikisht çdo verë.
Kjo stinë për shumëkënd është koha kur argëtohen dhe udhëtojnë më shumë. Ndërsa për të tjerë periudha kur problemet e shëndetit mendor dalin në sipërfaqe.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, në vitin 2023 depresioni do të jetë shkaku i dytë kryesor i vdekshmërisë pas sëmundjeve kardiovaskulare në të gjithë botën. Me ardhjen e verës vështirësohet edhe më shumë çështja. Të gjithë e dimë se një ekspozim i madh ndaj rrezeve të forta ultravjollcë të diellit mund të jetë i dëmshëm për shëndetin tonë.
Vera, e pabesueshme ta thuash, i bën më keq ata që vuajnë nga depresioni dhe paniku. Kjo tregohet në momentet e rënies në qetësi të tyre, sidomos kur nisin pushimet verore, paradoksalisht, në një ankth intensiv dhe të vështirë për ta menaxhuar.
Përgjatë pushimeve, për shembull, jemi “të detyruar” të qëndrojmë të shëndetshëm, por ka një ankth që zvarritet në heshtje, një depresion që nuk di të shijojë argëtim dhe kjo u shkakton personave që e përjetojnë, një nervozizëm të thellë. “Në fushën e çrregullimeve mendore, – thotë profesor Claudio Mencacci, drejtor i Departamentit të Neuroscience Fatebenefratelli Spitalit në Milano, – gjatë stinës së verës vëmë re rritje të disa sëmundjeve. Shqetësimi më i madh janë sulmet e panikut, ato kompulsive dhe obsesive”.
Marsi Simo, sociologe, i tha VoxNeës se "Nga analizimi i të dhënave, kriminologjistët e pohojnë se gjatë sezonit veror, numri i krimeve është më i lartë në krahasim me periudhat e tjera të vitit. Muaji gusht mban shifrën më të lartë të krimeve, ndërsa janari dhe shkurti ka shifra më të ulëta.
Krimet më të shpeshta janë: -vjedhjet. -përdhunimet. -dhunë fizike
Ndër të tjera ndodhin edhe vetëvrasje. Arsyet se përse kemi këto fenomene psiko-sociale janë së pari prej faktorëve të jashtëm si i nxehti. Temperaturat e larta ndikojnë si në aspektin fizik, por edhe atë emocional. Po ashtu gjatë pushimeve verore, njerëzit priren të konsumojnë më shumë alkool. Si pasojë humbja e vetëkontrollit rrit predispozitën për krime.
Dita gjatë verës është me e gjatë, njerëzit priren të jenë më aktiv dhe të jenë jashtë shtëpisë ku dhe ndërlidhja me njerëz të tjerë është më e shpeshtë".
Në analizëne saj Simo preku dhe kategorinë e njerzve që jetojnë vetëm dhe se si mund të "shpëtohen" ata nga këto probleme.
"Në veçanti, njerëzit që jetojnë vetëm, ose që bëjnë një jetë të vetmuar, do i thellojnë emocionet e tyre të mërzisë dhe vetmisë pasi vera konsiderohet si periudha që kalohet me familjen apo shoqërinë. Njerëz të tillë priren të ndihen demotivues, të kenë çrregullime të të ngrënit, probleme me gjumin etj.
Do të ishte e këshillueshme që prindërit dhe të afërmit të kapin këto shenja dhe të qendrojnë pranë ose duke iu drejtuar një specialisti nëse me kalimin e kohës nuk shohin përmirësim"- u shpreh socilogia Marsi Simo për Vox Neës.
Kuptimi i depresionit veror
Çrregullimi emocional sezonal, SAD prek rreth 4% deri në 6% të popullsisë amerikane. Zakonisht ai shfaqet kur ditët bëhen më të shkurtra dhe më të ftohta, por rreth 10% e njerëzve e vuajnë ndryshe, pra kur fillon vera. Pse ndryshimet sezonale shkaktojnë depresion? Ekspertët nuk janë të sigurt, por në ditët më të gjata, rritja e temperaturave dhe e lagështisë mund të luajë rol negativ.
Shenjat specifike të depresionit të verës përfshijnë: humbje të oreksit, probleme me gjumin, humbje peshe dhe ankth.
Dalja nga rutina mund të jetë një përkeqësues i shenjave të një personi që ka vuajtur më parë nga depresioni. Kjo pasi ndryshe nga përditshmëria, aktiviteti i ngjeshur gjatë pushimeve ka ngarkesat e veta deri në stërmundim.
Pushimet mund të prishin punën tuaj, gjumin dhe zakonet e të ngrënit. Të gjitha këto mund të kontribuojnë në depresionin e verës.
Ndërsa temperaturat rriten dhe shtresa e veshjeve pakësohet, shumë njerëz ndjehen të vetëdijshëm për trupat e tyre. Meqë kaq shumë takime verore sillen rreth plazheve dhe pishinave, disa njerëz fillojnë të shmangin situatat sociale për t’i shpëtuar sikletit.
Vera mund të jetë e kushtueshme, dhe në qoftë se jeni një prind që punon, mund t’ju kushtojë edhe më shumë argëtimi i fëmijëve në kampet verore apo me kujdestarë gjatë kohës që jeni në punë. Shpenzimet mund të shtojnë depresionin në verë.
Për njerëzit që nuk i durojnë dot temperaturat e larta, nxehtësia e verës mund të bëhet vërtet shtypëse. Ata mund të shpenzojnë çdo fundjavë, duke u fshehur në dhomë nën ajrin e kondicionuar, duke parë TV derisa sytë t’i dhembin, e kështu me radhë mundësi sesi t’i shmangen diellit. Secila nga këto situata mund të kontribuojë në depresionin e verës.
*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.