Gjykata e liroi për vrasjen e 2019, kush ishte Shpati Lena, një nga viktimat e atentatit në Vlorë

18 August 2022, 11:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjykata e liroi për vrasjen e 2019, kush ishte Shpati Lena, një nga
Pamje nga vendngjarja e atentatit te sotem

Shpati Lena është një nga viktimat e atentatit të ndodhur paraditen e së enjtes në Panaja të Vlorës.

Ai ishte arrestuar në mars të këtij viti me dy persona të tjerë Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa ishin duke lëvizur me automjet në zonën e Ujit të Ftohtë.

Ata ishin të dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagos djali i tij dhe një i afërm i tyre.

Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa vendosi masën “detyrim paraqitje” për Shpati Lenën.

Nga atentati i sotëm, mbeti i vdekur edhe shtetasi Hakim Zhezo.

Vrasja ndodhi rreth orës 09:30 në autostradën Fier-Vlorë, teksa në drejtim të automjetit të tyre u qëllua me breshëri plumbash, nga një tjetër automjet në lëvizje.

Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hasmërie.

Si ndodhi ngjarja në 2019

Atentati i sotëm dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e Arben Beqirajt pas një sherri për kalin në pronësi të Eduart Xhezos. Kali i prishi qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në muajin gusht në Vlorë, ndaj Arben Beqiraj me grupin e tij rrahën rojen Gazmend Alushi.

Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kalit, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokalin e tyre.

Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Ermali duke e pyetur se kush e kishte rrahur, dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”. Ermal Xhezo është vënë në lëvizje, ka mobilizuar shokët e tij si Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji, ku të gjithë janë armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për t'u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezos.

Teksa kanë shkuar për t'u sqaruar, janë ulur 3 minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe Nesim Hodaj. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik, ndërkohë që personat e përfshirë në këtë ngjarje kriminale si Ariel Kingji, Kristi Dolli dhe Shpati Lena u arrestuan nga policia.


Video