Një automjet është gjetur i djegur në fshatin Çerven të Fierit. Dyshohet se i përket autorëve të atentatit me dy viktima të regjistruar paraditen e kësaj të enjteje në Panaja të Vlorës. Brenda automjetit janë gjetur edhe tre armë zjarri kallashnikov.
"Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip "BMW", pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Nga kqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike." thuhet në njoftimin e Policisë.
Viktimat kanë qenë duke ecur me një automjet tip "Benz B-Class" në momentin kur janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga mbrapa, nga persona ende të pa identifikuar. Pas atentatit, makina ka përfunduar në kanal.
Dyshohet se viktimat janë ndjekur nga autorët dhe atentati ka qenë i mirëorganizuar.