Lajm i trishtë, ndahet nga jeta ish-ministri i Bujqësisë

18 August 2022, 08:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lajm i trishtë, ndahet nga jeta ish-ministri i Bujqësisë
Haxhi Aliko

Është ndarë nga jeta pasditen e së mërkurës pedagogu dhe personalitet i Shkencave Veterinare në Shqipëri, Haxhi Aliko.  

Ai ka pasur një karrierë të spikatur si në fushën akademike ashtu dhe në atë politike. Haxhi Aliko ka mbajtur edhe postin e ministrit të Bujqësisë në vitin 1997 në kohën kur qeverinë e drejtonte i ndjeri Bashkim Fino.

Lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Alikos e ka bërë me dije "Mjekësia Veterinare Shqiptare" përmes një postimi në rrjetet sociale.

Postimi i plotë:

Me hidhërim të thellë mësojmë ndarjen nga jeta të profesor Haxhi Aliko!
---
Jeta e profesor Alikos është e lidhur ngushtë me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, në të cilin u shkollua dhe zhvilloi një karrierë të shkëlqyer akademike 35-vjeçare, duke e filluar si asistent lektor dhe duke vijuar si titullar i lëndës “Fiziologjia e Kafshëve Bujqësore”, përgjegjës i Katedrës “Fiziologji-Biokimi” për 16 vjet dhe deri në Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës për 4 vjet.

Si pedagog, Prof. Haxhi Aliko ka qenë kompetent i padiskutueshëm në lëndën e fiziologjisë dhe njëherësh tepër metodik e serioz në raport me studentët. Njohuritë e thella, qetësia dhe elokuenca në përçimin e njohurive si dhe formimi i tij kulturor universal, ishin tiparet dalluese që i dhanë atij statusin e një profesori autoritar në mjedisin universitar. Edhe sot e kësaj dite, gjenerata të shumta të studentëve i kujtojnë me nostalgji leksionet e mrekullueshme të Prof. Alikos.

Prof. Haxhi Aliko ka shumë vlerësime, tituj e dekorime në jetën e tij dhe është një nga personalitetet me gjurmë të pashlyera në historinë e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.!

I paharruar kujtimi dhe puna e Profesor Haxhi Aliko!



Video