
Juristi Ylli Manjani tha në emisionin Now në Euronews Albania se përplasja dhe armiqësia mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është bërë publike vetëm nga ky i fundit.
Sipas Manjanit, Rama nuk ka folur publikisht për këtë përplasje dhe nuk pritet të prononcohet për sa kohë që llogaritë politike i tregojnë se një qëndrim i tillë nuk i sjell përfitime elektorale.
“Veliaj mund të thotë që ka qenë në burg dhe s’e urdhëron dot bashkinë, por që gjithë bashkia ka qenë në protestë, ky është fakti.
Por nuk kemi pasur ndonjë armiqësi nga Rama në këtë pjesë. Edhe te debati se kush është Nesti Angoni, nuk besoj se mund të akuzojmë se është Edi Rama njeriu që ka hyrë në këtë debat.
Vijmë te interesi publik. Gjëja më normale është që këtë armiqësi do ta kishte zgjidhur me kohë dhe do të ishte harruar.
Nuk mund të marrësh vendimin të shpallësh armik dikë para zgjedhjeve, vetëm nëse kjo të shton vota në zgjedhje. Është një kalkulim politik dhe ai që humbet këtu është Erion Veliaj, se ai është i ikur nga PS-ja.
Gjithsesi, ishte mandati i fundit i tij, ishte i ikur politikisht. Deri më sot, ka dalë hapur Veliaj, Rama nuk ka folur.
Unë pres që Rama të mos flasë. Nuk ka logjikë politike, do të flasë vetëm nëse llogaria politike i tregon se armiqësia ndaj Veliajt do t’i japë vota”, tha Manjani.
Manjani ka komentuar emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), në vend të Vlora Hysenit.
Manjani shprehu kritika ndaj institucionit, duke theksuar se operacionet e zhvilluara në Shqipëri janë realizuar falë partnerëve ndërkombëtarë dhe se sipas tij SHISH-i është ende larg standardeve që duhet të përmbushë.
“Të gjitha operacionet që janë organizuar në Shqipëri janë bërë falë partnerëve tanë. Ky institucion është shumë larg të qenit aty ku duhet të jetë.
Kjo është shumë më e madhe dhe më e rëndë sesa çfarë ka bërë Vlora Hyseni apo çfarë mund të bëjë Esmeralda Hasani.
Unë po ju them faktin. Nëse ju duket relativizues fakti, vazhdoni. Problemi është nëse duam të ndryshojmë, ndryshimi duhet të jetë ndryshe, nuk është ndryshim që erdhi njëra dhe iku tjetra”, u shpreh Manjani.