
Kombëtarja ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Finlandës, duke hedhur një tjetër hap të madh drejt objektivit në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë triumfuan në “Air Albania”. Ndeshjen e vendosi “magjia” e Muçit dhe goli i Manajt me kokë pas krosit të Hysajt.
Skuadra kuqezi e nisi takimin me synimin për të marrë kontrollin e lojës dhe krijoi rrezik që në minutën e parë, kur Laçi provoi pas një pasimi të Pilos, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Pas disa tentativave të Asllanit dhe Muçit, Shqipëria gjeti golin e avantazhit në minutën e 35-të. Ernest Muçi dhuroi një moment spektakolar, duke lëshuar një goditje të jashtëzakonshme me të jashtmen nga krahu i djathtë, që përfundoi në rrjetë.
Finlanda tentoi të reagojë dhe pati disa mundësi nga goditjet standarde, por Etrit Berisha u tregua vendimtar, veçanërisht në minutën e 42-të, kur ndali me një pritje fantastike goditjen me kokë të Tenho.
Në pjesën e dytë, Shqipëria e nisi me një tjetër goditje. Në minutën e 50-të, Elseid Hysaj krosoi në mënyrë perfekte nga e djathta dhe Rey Manaj, me një goditje të saktë me kokë, dyfishoi shifrat.
Sulmuesi kuqezi pati edhe një tjetër mundësi të mirë katër minuta më vonë, por nuk arriti të gjente portën. Shqipëria vijoi të kërkonte golin e tretë, ndërsa Finlanda provoi të rikthehej në lojë.
Një moment i rëndësishëm i takimit ishte minuta e 67-të, kur Finlanda mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Tenhos, për një ndërhyrje të rëndë ndaj Muçit, i cili po nisej në kundërsulm.
Në minutat e mbetura, kuqezinjtë administruan avantazhin dhe patën mundësi të tjera për të thelluar rezultatin, me Laçin që provoi në minutën e 73-të, ndërsa Suhoinen rrezikoi për finlandezët në minutën e 78-të.
Me këtë fitore, Shqipëria shkon në 12 pikë pas katër ndeshjesh dhe blindon kreun e Grupit C1 në Ligën e Kombeve. Tashmë, kuqezinjtë kanë përpara një përballje direkte në transfertë ndaj Bjellorusisë, në Hungari, ku një barazim do të mjaftonte për të siguruar objektivin e vendosur në këtë edicion.
Kombëtarja është shumë pranë ngjitjes në Ligën B, një sukses që do të ishte një tjetër arritje e rëndësishme për futbollin shqiptar.