Rama shuan entuziasmin për Samitin e NATO-s në Tiranë: Mund të mos mbahet vitin e ardhshëm

12 Nëntor 2026, 22:35Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama shuan entuziasmin për Samitin e NATO-s në Tiranë: Mund

Nga deklaratat plot siguri se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahej në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka kaluar te një qëndrim më i rezervuar, duke pranuar se ende nuk ka një dakordësi për datën e zhvillimit të tij.

Nga Dublini, ku ndodhet për një takim të Komunitetit Politik Evropian, Rama deklaroi se Samiti me siguri nuk do të zhvillohet në vitin 2027, ndërsa edhe organizimi në vitin 2028 mbetet i kushtëzuar.

“Shqipëria është planifikuar si pritësja e radhës e Samitit të NATO-s. Çështja është që s'ka ende një qëndrim të përbashkët se kur Samiti do të mbahet. Me siguri, jo në 2027. Dhe në 2028, nëse do të ketë një Samit, do të mbahet në Tiranë”, u shpreh kryeministri.

Por vetëm katër muaj më parë, nga Ankaraja, Rama përdorte një gjuhë krejt tjetër. Atëherë, përballë zërave për anulimin e Samitit në Tiranë, kryeministri nuk linte vend për dyshime, madje e shoqëronte sigurinë e tij edhe me deklarata për peshën ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Ka ikur koha që bënin çfarë të donin me Shqipërinë. Sot Shqipëria bën atë që thotë dhe bën atë që thotë. Samiti i ardhshëm do të jetë në Shqipëri”, deklaronte Rama.

Katër muaj më vonë, ndryshimi i tonit është i dukshëm. Nga deklarata kategorike “Samiti i ardhshëm do të jetë në Shqipëri”, kryeministri ka kaluar te formulimi “në 2028, nëse do të ketë një Samit”.

Me sa duket, mes entuziazmit të propaganduar dhe vendimmarrjes së NATO-s ka një distancë që nuk shkurtohet me video-mesazhe e Ramës.


Video