A do kandidonte për Bashkinë e Tiranës? Ja si përgjigjet Blendi Gonxhja

12 Nëntor 2026, 17:47Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

A do kandidonte për Bashkinë e Tiranës? Ja si përgjigjet

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, është pyetur nëse do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit.

Në një intervistë për Report TV, ai është shprehur se nuk ka ambicie apo projekt personal për të kandiduar, por theksoi se do të ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij nëse Partia Socialiste do të kishte një projekt të tillë.

“Gjatë gjithë jetës sime nuk ka ndodhur ndonjëherë që të kem deklamuar, folur, lutur, që të kem një projekt personal nuk e bëj dot dhe ta shpalos.

Unë jam një prej shumë deputetëve të PS, jo të gjithë e njohin njësoj Tiranën, jo të gjithë kanë sedrën për Tiranën. Si shumë prej atyre që militojnë, punojnë, angazhohen, nuk do të lija gjë pa bërë që të ndihmoja kauzën, projektin.

Nëse PS do të kishte një projekt, nuk diskutohet që do të isha këtu për të dhënë kontributin tim. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që kjo mos të tingëllojë si Blendi që kërkon një gjë që nuk e vendos Blendi.

Ka shumë rëndësi që të kemi zgjedhje të mira, të kemi zgjidhur këtë problematikë që kemi para nesh dhe që duhet ta kanalizojmë në një energji që t’i japë të mira vendit dhe mos ta dëmtojë Tiranën”, tha Gonxhja.


Video